Shpallja e zgjedhjeve të reja | Afatet e KQZ-së dhe reagimet e liderëve të partive politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur datën 28 dhjetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dekretit të nënshkruar për shpërndarjen e Kuvendit. Ky vendim vjen pas muajve të bllokadës politike dhe pas dështimit të përpjekjeve për të formuar një qeveri të re, transmeton lajmi.net. Zgjedhjet e parakohshme i japin mundësi qytetarëve…

Lajme

22/11/2025 10:19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur datën 28 dhjetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dekretit të nënshkruar për shpërndarjen e Kuvendit.

Ky vendim vjen pas muajve të bllokadës politike dhe pas dështimit të përpjekjeve për të formuar një qeveri të re, transmeton lajmi.net.

Zgjedhjet e parakohshme i japin mundësi qytetarëve dhe diasporës të përcaktojnë përbërjen e ardhshme të Kuvendit dhe të qeverisë.

Afatet kryesore të procesit zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur afatet për të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Subjektet politike duhet të deklarojnë pjesëmarrjen dhe koalicionet e tyre nga 24 deri më 30 nëntor 2025.

Dorëzimi i listave të kandidatëve do të zhvillohet nga 24 nëntori deri më 7 dhjetor, ndërsa shorti për renditjen në fletëvotim është planifikuar për 8 dhjetor. Emërimi i komisioneve komunale të zgjedhjeve dhe publikimi i qendrave të votimit do të bëhet më 25 dhe 26 nëntor.

Regjistrimi dhe certifikimi i listës votuese, duke përfshirë votuesit jashtë vendit, do të bëhet nga 26 nëntor deri më 10 dhjetor.

Votimi përmes postës do të zhvillohet nga 12 deri më 27 dhjetor.

Fushata zgjedhore për subjektet e certifikuara do të zhvillohet nga 17 deri më 28 dhjetor, ndërsa regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta dhe akreditimi i vëzhguesve do të bëhet nga 5 deri më 21 dhjetor.

KQZ-ja ka garantuar se procesi do të zhvillohet sipas standardeve ligjore dhe kushtetuese, duke siguruar transparencë dhe përfshirje të plotë të qytetarëve, përfshirë diasporën.

Reagimet e liderëve të partive

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, partitë kryesore opozitare kanë shprehur gatishmërinë e tyre për garë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se PDK është e gatshme për fitore dhe se vendi ka nevojë për qeveri stabile dhe bashkëpunuese. “Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate,” tha Hamza.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti shpalljen e zgjedhjeve një mundësi për ndryshim dhe u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës dhe diasporës të përfshihen në proces. “Këto zgjedhje nuk janë vetëm për të zgjedhur një qeveri të re, por për të përcaktuar kush jemi si popull dhe çfarë duam të jemi si vend. Më 28 dhjetor nuk nis vetëm një garë. Nisë një epokë e re për Kosovën. Dhe këtë herë, epoka shkruhet prej nesh,” tha Abdixhiku, duke ftuar qytetarët të kontribuojnë për të sjellë ndryshim dhe shpresë për vendin.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu drejtua mërgatës duke theksuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme synojnë të rikthejnë vendin “në binarët e normalitetit”. Ai kritikoi shpërndarjen e shpërblimeve simbolike nga qeveria në detyrë dhe vuri në dukje se qytetarët meritojnë angazhim institucional të qëndrueshëm dhe jo stimuj të përkohshëm. “Qytetarët meritojnë angazhim institucional të qëndrueshëm dhe jo ‘shtesa të përkohshme që i shërbejnë pushtetit’,” tha Haradinaj.

Pse Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Zgjedhjet e parakohshme vijnë pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re.

Partia nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme për dy mandatarë të propozuar për kryeministër, fillimisht Albin Kurtin dhe më pas Glauk Konjufcën.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 nuk prodhuan fitues absolut.

Edhe pse LVV doli e para, ajo nuk arriti të gjente një marrëveshje me partitë e tjera për të formuar qeverinë.

Kjo situatë bëri të domosdoshme shpalljen e zgjedhjeve të reja, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të vendosin për përbërjen e ardhshme të Kuvendit dhe drejtimin e vendit./lajmi.net/