Lucescu flet për mundësinë e përballjes së Rumanisë me Kosovën në play-off dhe tregon biseden me Fodën në hedhjen e shortit

Selektori i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, i ka thënë homologut të tij nga Rumania se dëshiron që të përballet me ta në finalen e “play-offit” për Botërorin e vitit 2026, sipas asaj që raporton mediumi rumun “Golazo”. Dy selektorët e kombëtareve ishin të pranishëm në shortin e hedhur në Cyrih të Zvcirës, gjatë ditës…

Sport

21/11/2025 22:35

Selektori i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, i ka thënë homologut të tij nga Rumania se dëshiron që të përballet me ta në finalen e “play-offit” për Botërorin e vitit 2026, sipas asaj që raporton mediumi rumun “Golazo”.

Dy selektorët e kombëtareve ishin të pranishëm në shortin e hedhur në Cyrih të Zvcirës, gjatë ditës së enjte.

Kosova në shortin e “play-offit” ishte në vazon e tretë, pasi kishte përfunduar e dyta në Grupin B të kualifikimeve të rregulta, pas Zvicrës.

Në gjysmëfinale, “Dardanët” do të luajnë ndaj Sllovakisë në udhëtim.

Ndërsa, Rumania e siguroi “play-offin” pasi ishte në mesin e katër komëbtareve që fituan grupet në Ligën e Kombeve dhe ishte në vazon e katërt për short.

Rumania ndeshjen gjysmëfinale e luan në udhëtim te Turqia.

Nëse Kosova triumfon ndaj Sllovakisë dhe Rumania e mposht Turqinë, finalja potenciale Kosovë – Rumani për kualifikim në Botëror do të luhej më 31 mars në “Fadil Vokrri’.

80-vjeçari Lucescu ka folur për mediumin “Golazo” dhe ka theksuar se 59-vjeçari Foda i ka thënë atij se do të dëshironte që finalen ta luajnë së bashku.

“Foda më uroi fat dhe më tha se do të donte që ne të kualifikoheshim dhe të luanim në finale me të, me Kosovën. Unë i thashë: ‘Shpresoj që kësaj radhe ju do të luani deri në fund! Apo po planifikoni që të largoheni nga fusha sërish? Ai nuk më tha asgjë”, ka thënë Lucescu, sipas mediumit rumun.

Kosova dhe Rumania nuk kanë histori të mirë të përballjeve gjatë viteve të fundit.

Këto dy kombëtare janë përballur katër herë deri më tani, një herë në kualifikimet e Evropianit 2024 dhe një herë në Ligën e Kombeve.

Rumania ka tri fitore (një me rezultat zyrtar) ndaj Kosovës, teksa një ndeshje tjetër është mbyllur me barazim.

Në ndeshjen e nëntorit të vitit të kaluar në Ligën e Kombeve, e luajtur në Bukuresht, lojtarët e Kosovës e lëshuan fushën e lojës pas thirrjeve “Serbia, Serbia” në stadium.