Vetëm 12 ditë fushatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme- nis më 17 dhjetor

Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar sot rezultatet finale të dala nga zgjedhjet lokale. Përpos kësaj, në KQZ pati edhe diskutime në lidhje me raportimet për fletëvotimet në zgjedhje e çështje të tjera. Pas kësaj në kuadër të rendit të ditës u bë e ditur se fushata zgjedhore e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen…

Lajme

21/11/2025 15:55

Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar sot rezultatet finale të dala nga zgjedhjet lokale.

Përpos kësaj, në KQZ pati edhe diskutime në lidhje me raportimet për fletëvotimet në zgjedhje e çështje të tjera.

Pas kësaj në kuadër të rendit të ditës u bë e ditur se fushata zgjedhore e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor, nis më 17 dhjetor.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për subjektet politike do të jetë vetëm 12 ditë, nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor

“Periudha për certifikimin e partive politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor. Ky proces është ndryshe nga proceset e tjera, është i ndarë në dy faza. Bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike”,deklaroi Elshani.

“Lista e kandidatëve të partive politike, realizohet nga 24 nëntor deri më 7 dhjetor. Pra 7 dhjetori është data e fundit ku partitë politike mund të dorëzojnë listën e kandidatëve në KQZ”, tha Elshani.

Tërheqja e shortit nga ana tjetër, do të bëhet më 8 dhjetor.

Derisa sipas Elshanit, periudha e aplikimit për votuesit jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor, dhe mbaron me datën 6 dhjetor. Ndryshe, periudha e votimit me postë nis më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor./Lajmi.net/