“Autobusi po udhëtonte nga Shqipëria, por pa udhëtarë” – Dogana jep detaje për 120 kg drogë që u zbuluan në autobus

Dogana e Kosovës është deklaruar në lidhje me rastin ku në një autobus janë gjetur mbi 120 kilogramë drogë. Njësia antikotrabandë e Doganës së Kosovës në orët e hershme të mëngjesit kishte ndaluar një autobus në autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës, por pa pasagjerë. Mjeti është shoqëruar për kontroll të…

Lajme

21/11/2025 12:33

Dogana e Kosovës është deklaruar në lidhje me rastin ku në një autobus janë gjetur mbi 120 kilogramë drogë.

Njësia antikotrabandë e Doganës së Kosovës në orët e hershme të mëngjesit kishte ndaluar një autobus në autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës, por pa pasagjerë.

Mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.

“Gjatë kontrollit, përfshirë përdorimin e qenve nuhatës – të dhuruar nga organizata gjermane GIZ – si dhe pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së ShBA-së, është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis.Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

Rasti i sotëm i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale./Lajmi.net/