“Jam në depresion politik” – Simpatizanti i VV-së i zhgënjyer: Kurti me 42-43% të votave, nuk arrin të marrë as kontrollin e televizionit në shtëpinë e tij

Figura publike dhe aktivisti në rrjetet sociale, Mentor Llugaliu, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për paaftësinë e tij për të krijuar qeveri gjatë nëntë muajve të fundit. Në një postim të gjatë në Facebook, Llugaliu kritikoi mënyrën se si Kurti ka vepruar përgjatë vitit, duke mos marrë masa për…

Lajme

21/11/2025 12:17

Figura publike dhe aktivisti në rrjetet sociale, Mentor Llugaliu, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për paaftësinë e tij për të krijuar qeveri gjatë nëntë muajve të fundit.

Në një postim të gjatë në Facebook, Llugaliu kritikoi mënyrën se si Kurti ka vepruar përgjatë vitit, duke mos marrë masa për të formuar një qeveri të re, transmeton lajmi.net.

“Në vend që të ishin mjet për ndërrimin e pushteteve në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve, zgjedhjet në Kosovë janë shndërruar në mjete të mbijetimit politik të Albinit,” shkroi Llugaliu.

Ai e krahasoi situatën me ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, me shumë më pak vota arrinte të formonte të gjitha institucionet e vendit. “Dikur Hashimi, me 10-15% vota më pak se Albini sot, bënte qeverinë dhe vendoste nga presidenti deri te pastruesi në shkolla të katundeve të humbura. Sot Albini, me 42-43% të votave, nuk arrin të marrë as kontrollin e televizionit në shtëpinë e tij,” shtoi Llugaliu.

Ai gjithashtu kritikoi dështimet e qeverisjes së Kurtit dhe shprehu dyshime për rezultatet që mund të korrë më 28 dhjetor, duke thënë se populli po “kthjellet dalëngadalë”.

Në fund të postimit, Llugaliu theksoi mllefin e tij ndaj ish-qeverive të kaluara, por pranoi se aktualisht ndodhet në një “depresion politik” për shkak të shpresës së vjedhur nga Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Në vend që të ishin mjet për ndrrimin e pushteteve në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve, zgjedhjet në Kosovë janë shndërru në mjete të mbijetimit politik të Albinit.
Dikur Hashimi me 10-15% vota më pak se që ka sot Albini, bënte qeverinë, zgjedhte nga presidenti e deri te pastruesi në shkollat fillore të ndonjë katundi të humbun në p.s., sot Albini me 42-43% të votave e kam një përshtypje që nuk mundet me zgjedh as tv-kanalin në shtëpinë e tij.
Kjo impotencë e tij politike është arritje dhe meritë krejtësisht e tij, natyrisht me pare tona. Ua hargjoi gati 1 vit qytetarëve të Kosovës me truqe e blofe tu iu thanë opozitës sprovonmi që i kam numrat edhe në fund doli që e ka veç hamamin e Hyres. Pothuajse 1 vit bllokada politike, të cilat për pasojë kanë vonesa që shtetit dhe qytetarëve iu kushtojnë me miliona e miliona euro. Po Albinit nuk i bohet vonë, me ndihmen e kudjestares së “demokracisë”, Presidentes Le le Kaqurrele i shpalli zgjedhjet e reja për Vit të Ri, me shpresë që nga 42% me iu bo 84%.
A janë në men këta njerëz, a është në mend Albini? A e din ai që mileti është kogja naiv, po jo aq naiv sa po mendon ai?
Jam ekstrem kurioz me pa çka po premton në fushatën e zgjedhjeve të Vitit të Ri:
– Luftim të korrupsionit? Cilin peshk të madh të korruptum e burgosi gjatë mandatit të kalum? Përgjigjja është ASNJËRIN. Madje lejoi plot bashkpuntorë të tij të vjedhin e të stërvjedhin po aq sa ata hajnat e mëparshëm.
– Standard më të lartë e çmime më të ulta dhe ato foret “kripa e sheqeri kaq cent”?
E vërteta është që çmimet nën qeverisjen e tij kanë shënu vetëm rritje.
– Projekte gjigande infrastrukturore si ajo ura 4-5 metërshe te Liqeni i Badovcit?
Me 12-13 miliardë euro bugjet pët pothuajse gjatë 5 viteve qeverisje atij nuk i vërehet pothuajse asnjë projekt i madh infrastrukturor.
– Reforma e përmirësim të shëndetësisë, sigurim shëndetësor, kujdes e barna më të lira?
Pse nuk i boni deri tash, e pati kohen dhe mundësinë e botës?
– Investime e ekonomi të qëndrueshme?
Në vend të një politike të qartë që rritje ekonomike e përmirësim të standartit jetësor, në mandatin 5 vjeçare krejt çka na ofroi janë vitrrat. 100 euro atij, 100 këtij… si me kanë HalilKastrat e jo kryeministër.
Dështimet e qeverisjës së tij janë aq të mëdha, po tu e ditë që këtë postim po e shkruaj copa-copa në semafora, nuk po kam kohë e as vullnet me i cekë ma shumë.
Ndër sukseset e pakta të tij janë çlirimi i veriut dhe deri dikun armatosja e Ushtrisë së Kosovës. Për të parën mundem me thanë që e fitoi Veriun po e humbi Jugun, ndërsa me armatosjen shumicës na e ka kriju një iluzion të rrezikshëm që tash mundemi me luftu me Kinë e Rusi përnjëherë. Natyrisht nuk mundemi me luftu as me Shumadi.
Unë me të vërtetë nuk e di çka do të premton Albini për Vit të Ri. Do të veshet si Babadimër e të shpërndaj 100she apo prap do të na i përsëris premtimet e 2019-tes?
Një send e di që qytetarët edhe pse ngadale po kthjellen politikisht. Nëse Albini mendon që do t’i fitojë 50, 60, 70% (qysh thojke Teta Donika) ai gabon rëndë. Në rastin ma të mirë për Albinin do të përsëriten rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Në rastin më të keq për të do t’i humbë edhe 5-6%. Personalisht, tu e pa kush është alterntivë e tij, do të doja që t’i fitojë 90%, po thanë sinqerisht tu e ditë qysh ka qeverisë deri tash kurfarë pritjesh pozitive nuk kam prej qeverisë së tij.
Për shkak të tij kurrë deri tash nuk më ka ndodhë mos me përcjellë lajme, debate, deklarata. M’ka kapë një depresion politik. Askujt nuk i besoj, askush nuk ma mbushë synin e mendjen. Asgjë nuk më doket interesante.
Hashimi, Ramushi e Isa mi vjedhën bukën, ujin e ajrin… Albini ma vjedhi shpresën. Ndoshta kjo është ma e randa.
Urime Viti i Ri tash më 20 Nëntor!/lajmi.net/