Ramiz Lladrovci po përgatitet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, takohet me Eman Rrahmanin
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duket se e ka marrë shumë seriozisht çështjen e formimit të një subjekti politik që do të jetë pjesë e garës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sot në mëngjes u raportua se Lladrovci ka takuar udhëheqësin e koalicionit “Për Familjen”, Eman Rrahmanin. Në lidhje me këtë, lajmi.net ka…
Lajme
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duket se e ka marrë shumë seriozisht çështjen e formimit të një subjekti politik që do të jetë pjesë e garës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sot në mëngjes u raportua se Lladrovci ka takuar udhëheqësin e koalicionit “Për Familjen”, Eman Rrahmanin.
Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me Rrahmanin, i cili e ka konfirmuar takimin me Lladrovcin.
“Dje kam takuar disa liderë të partive politike parlamentare, sot do t’i takoj disa të tjerë. Në mëngjes kemi qenë edhe me Kryetarin e Drenasit. Ashtu siç kemi informuar edhe publikisht, jemi të hapur për diskutim me të gjitha partitë,” tha Rrahmani për lajmi.net.
Së fundmi, Lladrovci është parë edhe në takime të tjera. Dje ai publikoi fotografi me Bekim Jasharin, djalin e Hamëz Jasharit, ish-kryetarit të komunës së Skenderajt.
Ndërsa ditë më parë, ai u pa në shoqërinë e ish-komandantëve të UÇK-së, Agim Çekut dhe Sylejman Selimit.
Lladrovci kishte paralajmëruar se, nëse PDK nuk bën hapa për ta rikthyer atë në parti, ai do t’i hyjë garës me një subjekt të ri./lajmi.net/