Hallakama në KPK | Prokuroria Speciale e mohon kategorikisht ndikimin në shkarkimin e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar sot ndaj deklaratave të disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilët kundërshtuan vendimin për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke pretenduar se pas vendimit qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Në reagimin e 21 nëntorit 2025, Prokuroria…
Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar sot ndaj deklaratave të disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilët kundërshtuan vendimin për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke pretenduar se pas vendimit qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Në reagimin e 21 nëntorit 2025, Prokuroria Speciale i ka cilësuar këto pretendime si të pasakta dhe pa bazë, duke mohuar çdo lloj ndikimi në proceset vendimmarrëse të KPK-së, transmeton lajmi.net.
“Pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive të KPK-së”, thuhet në komunikatë.
Institucioni ka paralajmëruar se përfshirja e Prokurorisë Speciale në debate të brendshme të KPK-së dëmton integritetin e sistemit prokurorial dhe krijon perceptime të gabuara në opinion.
Po ashtu, në reagim theksohet se Kryeprokurori Blerim Isufaj është i përkushtuar të ushtrojë mandatin e tij në krye të Prokurorisë Speciale dhe nuk ka asnjë pretendim për pozita të tjera. Si dëshmi e kësaj, Prokuroria Speciale thekson emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në fund, Prokuroria Speciale riafirmon angazhimin për të vepruar me pavarësi të plotë, transparencë dhe në shërbim të interesit publik.
Reagimi i plotë:
REAGIM NDAJ PRETENDIMEVE TË ANËTARËVE TË KPK-së
21 Nëntor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së.
Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.
Kryeprokurori, z.Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Prokuroria Speciale, riafirmon angazhimin për të vazhduar përmbushjen e funksioneve të saj me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe trasnparencë./lajmi.net/