Haradinaj nuk “lëshon” vend: AAK-ja nuk bën koalicione, do të jem bartës i listës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është pyetur nëse do të jetë sërish kandidat për kryeministër. Ai në emisionin “Rubikon” u shpreh se ende nuk është e konfirmuar, por tha se nuk ka ndonjë zhvillim ndryshe, pra mbetet bartës i listës. “E kemi diskutuar në Aleancë, në Kryesi, në Këshill të Përgjithshëm.…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është pyetur nëse do të jetë sërish kandidat për kryeministër.
Ai në emisionin “Rubikon” u shpreh se ende nuk është e konfirmuar, por tha se nuk ka ndonjë zhvillim ndryshe, pra mbetet bartës i listës.
“E kemi diskutuar në Aleancë, në Kryesi, në Këshill të Përgjithshëm. Nuk kemi ndonjë zhvillim të ri, pra ndryshe nga kjo, ende nuk e kemi konfirmuar, por e kemi diskutuar, mbetem bartës i listës”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së u shpreh gjithashtu se aleanca do të përpiqet të punojë që ofertat t’i ketë, siç tha “sa më racionale”.
“Atë përvojë që kemi akumuluar, ato njohuri që i kemi për temat, për qeverisjen, dëshirojmë t’i ndihmojmë vendit, duke qenë sa më adekuat”, tha Haradinaj.
Haradinaj, ka thënë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk do të hyjnë në koalicione parazgjedhore.
Ai tha se të vetmin përjashtim do ta bënte nëse partitë opozitare do të hynin bashkë.
“Nuk bëjmë kësaj here koalicion me askënd. I vetmi ndryshim do të ishte një listë e përbashkët e krejt opozitës. Kam qenë ithtar edhe në zgjedhjet e mëhershme, por s’ka pasur gatishmëri. Tani është vonë”, tha lideri i AAK-së.
Ai shtoi se koalicione klasike nuk do të bëjnë as me PDK-në, as me LDK-në e as me ndonjë parti tjetër.
Haradinaj u shpreh i hapur për parti tjera të vogla që të futen në listën e AAK-së.