Shtetasja italiane kapet me drogë dhe para të falsifikuara në Han të Elezit, Prokuroria kërkon paraburgim 30-ditor
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj shtetases italiane D.G.E., e dyshuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Falsifikimi i parasë”. Sipas Prokurorisë, më 19 nëntor 2025, rreth orës 10:30,…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj shtetases italiane D.G.E., e dyshuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Falsifikimi i parasë”.
Sipas Prokurorisë, më 19 nëntor 2025, rreth orës 10:30, në pikën kufitare Hani i Elezit, e dyshuara ka transportuar pa autorizim substanca narkotike dhe psikotrope me qëllim të shpërndarjes, transmeton lajmi.net.
Gjatë kontrollit të valixhes së saj, Policia dhe Njësia Anti-kontrabandë e Doganës kanë gjetur: dy qese najloni me Methaphetamine (24.93 gram), një qese me Mephodrone (MMC) (4.20 gram), një qese me substancë të bardhë të papërcaktuar (1.78 gram), dy shishe qelqi me Gamma Butyrolactone (GBL) me peshë totale 158.8 gram, si dhe një epruvetë qelqi të përdorur për tymosjen e drogave.
Po ashtu, gjatë kontrollit është zbuluar se ajo posedonte dy kartëmonedha të falsifikuara nga 100 euro, për të cilat dyshohet se kishte qëllim t’i vinte në qarkullim. Të gjitha substancat dhe kartëmonedhat e dyshuara janë sekuestruar nga autoritetet.
D.G.E. ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh që nga 19 nëntori, sipas vendimit të Prokurorit të Shtetit, për dyshimet e ngritura ndaj saj./lajmi.net/