Specialja jep detaje rreth ecurisë së proceseve gjygjësore

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Angela Grip, në paraqitjen javore për media, ka folur rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me rastet gjyqësore që janë duke u zhvilluar atje. “Në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjatë konferencës për ecurinë e çështjes më 19 nëntor, Trupi Gjykues…

Lajme

20/11/2025 16:06

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Angela Grip, në paraqitjen javore për media, ka folur rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me rastet gjyqësore që janë duke u zhvilluar atje.

“Në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjatë konferencës për ecurinë e çështjes më 19 nëntor, Trupi Gjykues diskutoi me palët afatet dhe hapat e ardhshëm për gjykimin. Ndër të tjera, Trupi Gjykues bëri të ditur se deri më 1 dhjetor do të vendosë lidhur me aspekte të provave për të cilat ende nuk ka dhënë vendim deri më tani. Trupi Gjykues gjithashtu njoftoi palët se nuk parashikon të thërrasë dëshmitarë dhe se synon të mbyllë procedurën e paraqitjes së provave në këtë çështje më 4 dhjetor ose rreth asaj date. Trupi Gjykues ka ndër mend ta bëjë këtë me vendim publik, dhe jo në seancë të hapur”, tha ajo.

Grip bëri me dije se gjatë seancës, Trupi Gjykues dha edhe dy urdhra gojorë. “Në urdhrin e parë, Trupi Gjykues, me kërkesë të Prokurorisë, pranoi si prova dy transkripte të seancave të mbajtura në Kongresin amerikan. Trupi Gjykues sqaroi se seancat në fjalë nuk ishin të llojit juridik dhe, për këtë arsye, nuk është e nevojshme që transkriptet të trajtohen sipas rregullave të Rregullores mbi deklaratat me shkrim të dëshmitarëve. Gjithashtu, Trupi Gjykues pranoi prova materiale të paraqitura nga Prokuroria, duke vënë në dukje se për to nuk pati kundërshtime nga pala tjetër apo Mbrojtja e Viktimave”, tha ajo.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Angela Grip, bëri me dije se më 18 nëntor, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që të akuzuarit të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera.

“Trupi Gjykues kujtoi atmosferën e vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë dhe theksoi se lirimi i një të akuzuari në dijeni të informacionit të ndjeshëm në lidhje me dëshmitarët nuk do të ndihmonte në mbrojtjen efikase të tyre. Trupi Gjykues rikujtoi se rreziku i ndërhyrjes që synohet të parandalohet me paraburgimin përfshin edhe tentimin për të marrë hak ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në proces, ose për t’i nxitur ata të tërheqin dëshminë, si dhe tentimin për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve në procese paralele. Sipas mendimit të Trupit Gjykues, vetëm masat në fuqi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara ofrojnë mjedis të kontrolluar mjaftueshëm, ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të parandalohet ose të identifikohet më lehtë”, tha ajo.

Seancat në këtë çështje gjyqësore janë shtyrë deri në një njoftim tjetër.

Grip foli edhe për rastin tjetër. “Në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në lidhje me akuza për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve, më 11 nëntor, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren e Dhomave të Specializuara se çështja do të jetë gati për t’iu kaluar një trupi gjykues”, tha ajo.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Angela Grip tha se më 12 nëntor, Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, caktoi gjykatësin Kristofer Gosnell si Gjykatës të Vetëm i ngarkuar me gjykimin e asaj çështjeje.

“Kryetarja theksoi se sipas nenit 25 të Ligjit, akuzat kundër të gjithë të akuzuarve në këtë çështje nuk cilësohen si krime të rënda, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, dhe se, për këtë arsye, trupi gjykues mund të përbëhet prej vetëm një gjykatësi. Po më 12 nëntor, Gjykatësja e Procedurës Paraprake bëri kalimin zyrtar të dosjes së çështjes”, tha ajo.

Grip po ashtu tha se më 17 nëntor, Gjykatësi Gosnell caktoi datën e konferencës përgatitore për gjykim për më 28 nëntor, në orën 09:30 paradite.

“Ai kërkoi që Prokuroria dhe Zyra Administrative të dorëzojnë parashtrime me shkrim deri më 20 nëntor, ndërsa Mbrojtja deri më 24 nëntor. Në këto parashtrime duhet të trajtohen, ndër të tjera, statusi i hetimeve të palëve, statusi i nxjerrjes së provave dhe nëse palët kanë ndër mend të kërkojnë konstatim gjyqësor të fakteve të shqyrtuara në procese të tjera, qoftë bashkërisht apo më vete. Ai kërkoi gjithashtu informacion nëse Prokuroria është e gatshme të bëjë deklaratën hyrëse javën e 15 dhjetorit dhe nëse dëshmitari i parë do të jetë gati të japë dëshmi po atë javë”, tha ajo.