Rrezikohet ndërprerja e transportit publik në Prishtinë, “Trafiku Urban” paralajmëron pezullim nga java e ardhshme
N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. ka paralajmëruar se ofrimi i shërbimit të transportit publik në Prishtinë mund të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore. Sipas njoftimit të ndërmarrjes, kjo situatë ka ardhur si pasojë e moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë…
Lajme
N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. ka paralajmëruar se ofrimi i shërbimit të transportit publik në Prishtinë mund të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, kjo situatë ka ardhur si pasojë e moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, duke pamundësuar Komunën e Prishtinës që të shlyejë detyrimet ndaj “Trafikut Urban”, raporton lajmi.net
Kjo ka krijuar vështirësi të theksuara financiare që rrezikojnë funksionimin operativ dhe vazhdimësinë e shërbimit për qytetarët.
Ndërmarrja thekson se, pavarësisht performancës së qëndrueshme dhe bilancit pozitiv, vonesat e pagesave që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset teknike të brendshme, duke bërë të pamundur operimin e rregullt të transportit.
“Trafiku Urban” apelon për një zgjidhje të menjëhershme të bllokimit financiar për të shmangur ndërprerjen e qarkullimit për rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë dhe siguron se mbetet i përkushtuar ndaj ofrimit të shërbimit publik./Lajmi.net/