RTK nis grevën e përgjithshme nga e hëna për shkak të pagave

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se nga e hëna fillon greva e përgjithshme, e cila do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00. Kjo sindikatë njofton se gjatë këtyre dy orëve ndalet çdo punë, në çdo sektor të transmetuesit publik. “Greva vlen për të gjithë, pa përjashtim.Kjo masë vjen pas…

Lajme

20/11/2025 15:17

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se nga e hëna fillon greva e përgjithshme, e cila do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00.

Kjo sindikatë njofton se gjatë këtyre dy orëve ndalet çdo punë, në çdo sektor të transmetuesit publik.

“Greva vlen për të gjithë, pa përjashtim.Kjo masë vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash të injoruara dhe një gjendjeje që është bërë e paqëndrueshme si për stafin ashtu edhe për funksionimin e institucionit. Pagat janë të bllokuara dhe rrezikohet seriozisht vazhdimësia e RTK-së”.

“Kërkojmë nga menaxhmenti i RTK-së të marrë vendim të qartë për mosmbulim të fushatës zgjedhore. Pa një vendim të tillë, stafi rrezikon të përfshihet në situata të padrejta dhe të ekspozohet ndaj presioneve të jashtme.

Nëse menaxhmenti nuk del me qëndrim, SPERTK do të thërrasë bojkotin e plotë të zgjedhjeve nga ana e gjithë kolegëve”.

Poashtu bëhet e ditur se greva do të shoqërohet edhe me protestë në shesh dhe para Qeverisë.

“Kjo protestë është e domosdoshme, sepse gjendja në RTK ka kaluar çdo kufi të durimit. Ftojmë të gjithë punonjësit të qëndrojnë të bashkuar dhe t’i përmbahen vendimeve të Sindikatës. Bashkimi ynë është i vetmi mjet për të mbrojtur punën, dinjitetin dhe shërbimin publik që i ofrojmë vendit”

“Qëllimi ynë është i vetëm: zgjidhja urgjente e çështjes së pagave dhe garantimi i funksionimit normal të RTK-së. Pasi nuk ka Kuvend aktiv, kërkojmë që Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, të marrë vendimin e nevojshëm pa asnjë vonesë.Nëse për zgjedhje gjenden mjete, atëherë duhet të gjenden edhe për RTK-në. Media publike nuk mund të lihet në kolaps”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.