Shkarkimi i Besim Kelmendit, ftohet AKI-ja për ruajtjen e sigurisë në vend

Pas shkarkimit të Besim Kelmendit nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës ftuan Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për të ruajtur nivelin e sigurisë në vend. Ata thanë se sipas përbërjes aktuale, kuorumi për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, ndërsa në mbledhjen e sotme, edhe pse…

Lajme

20/11/2025 14:38

Pas shkarkimit të Besim Kelmendit nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës ftuan Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për të ruajtur nivelin e sigurisë në vend.

Ata thanë se sipas përbërjes aktuale, kuorumi për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, ndërsa në mbledhjen e sotme, edhe pse ishin fillimisht 10 anëtarë në takim, gjatë takimit pesë prej tyre e kanë lëshuar takimin, ndërsa vendimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi e morën pesë anëtarët e mbetur në takim.

Ata gjithashtu thanë se nuk janë njoftuar për vazhdimin e mbledhjes, për të cilën kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se nuk ka kuorum për të vazhduar. Këtë vendim, disa nga anëtarët e KPK-së e shohin si të paligjshëm dhe të pavlefshëm.

“Është veprim i paligjshëm dhe absolutisht i pavlefshëm, duke marrë vendim për shkarkimin e u.d. kryeprokurorit të shtetit pa pasur kuorum.. Ne nuk kemi pasur njoftim për vazhdimin e mbledhjes për të cilën ai vet konstatoi se nuk ka kuorum për të vazhduar tutje… Ftojmë Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për të vlerësuar situatën dhe ruajtjen e sigurisë juridike në vend. Po ashtu ftojmë, Policinë e Kosovës që të kujdeset për nivelin e sigurisë për anëtarët që sot jemi këtu. Organet kompetente të drejtësisë i ftojmë të vlerësojnë gjendjen e krijuar juridike pas këtyre veprime dhe partnerët ndërkombëtarë të monitorojnë me kujdes zhvillimet që cenojnë funksionalizimin e mekanizmit të sundimit të ligjit. Besim Kelmendi vazhdon detyrën, përderisa nuk ekziston një vendim i ligjshëm”, tha Krasniqi.

Besim Kelmendi tha se nuk ka marrë një vendim për shkarkimin e tij nga detyra. Ai tha se do t’u drejtohet organeve kompetente të cilat e kanë të drejtën për të pezulluar ose shqyrtuar vendimin për shkarkimin e tij.

“Unë nuk kam marr vendimin për këtë çështje dhe atëherë janë të drejtat e mia ligjore për t’iu drejtuar organeve kompetente gjyqësore dhe ato kanë të drejtën e vet që këtë vendim ta pezullojnë apo ta shqyrtojnë dhe varësisht nga vendimet e gjykatës do të veprojë dhe unë”, tha Kelmendi.

Anëtari tjetër, Arian Gashi u bëri thirrje prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që të ushtrojnë autorizimet e tyre ligjore, pasi sipas tij, vendimi për shkarkimin e Besim Kelmendit sot është i kundërligjshëm.

“Vendimet që u morën në atë takim, del se edhe ne sot kemi pesë anëtarë, a mund të marrim edhe ne vendime të tilla. Ne nuk duam ta shkelim ligjin e as Kushtetutën e Republikës së Kosovës si prokurorë. U bëj thirrje prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që të ushtrojnë autorizimet e tyre ligjore në raport me veprimet që kanë marrë sot, sepse janë të kundërligjshme, janë bazë për të filluar hetimin dhe për të dërguar dikujt me përgjegjësi”, tha Gashi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot mori vendim për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Ndërkohë në vendin e tij, u propozua nga kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, prokurori Agron Qalaj.

Propozimi për rend dite për shkarkimin e Besim Kelmendit, erdhi nga zëvendës kryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli e cila tha se Kelmendi nuk përfaqëson unitetin e Këshillit Prokurorial, për çka edhe është zotuar.

Kelmendi theksoi se nuk do të jep dorëheqje dhe se do ta mbrojë Sistemin Prokurorial, ani pse në KPK, sipas tij, po bëhet “një luftë për të bërë reforma në sistem të drejtësisë dhe të mbetet në dorë të një individi.”

Ndryshe, në një konferencë të jashtëzakonshme të mërkurën, u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi tha se është intervistuar nga Prokuroria Speciale. Ai tha se shkrimet e fundit ndaj tij janë shpifje, ndërkaq foli për punën që ka bërë në Gjykatën e Qarkut dhe ftesën për të dëshmuar si dëshmitar për rastin e masakrës së Reçakut.

Ai tha se asnjëherë para vitit 2001 nuk ka qenë në Reçak dhe se për këtë ftesë thotë se nuk ka marrë asnjë arsyetim nga Prokuroria. Kelmendi ka mohuar të ketë qenë në Reçak para vitit 2001, duke thënë se nëse gjendet vetëm një foto nga koha e masakrës së tmerrshme nga forcat serbe, ai do të jep dorëheqje dhe do ta braktisë Kosovën./kp