“Konjufca më tregoi se me kë është duke biseduar, ishte afër 61 votave” – Osmani tregoi pse e mandatoi atë për kryeministër
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte mandatuar si kandidat të dytë për kryeministër, Glauk Konjufcën i cili dje nuk arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme për të formuar Qeverinë. Në lidhje me mandatimin e tij, Osmani ka thënë se Konjufca i kishte treguar se me kë po bisedonte për të arritur 61 vota. “Në…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte mandatuar si kandidat të dytë për kryeministër, Glauk Konjufcën i cili dje nuk arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme për të formuar Qeverinë.
Në lidhje me mandatimin e tij, Osmani ka thënë se Konjufca i kishte treguar se me kë po bisedonte për të arritur 61 vota.
“Në një takim me Konjufcën, ai më ka njoftuar se me kë është duke biseduar dhe kam informuar se fjala është për deputetë individual. Ai ka qenë vetëm pak vota larg krijimit të Qeverisë, dhe Kushtetuta kërkon që t’i jepet mandati atij apo asaj që i ka gjasat dhe jo garancat. Pra, dikush që vjen deri te 56 votat dhe tregon qartë se me kë është duke biseduar për të arritur 61-shin, i ka gjasat. Më tregoni ju kush ka qenë kandidati tjetër me gjasat më të mëdha”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se Kushtetuta e kërkon që pas mandatarit të parë, të ketë mandatar të dytë.
“Kushtetuta është e qartë për të gjithë ata që e lexojnë drejtë dhe pa ngjyrime të urrejtjes, ajo Kushtetutë kërkon që pas mandatarit të parë të ketë mandatar të dytë dhe unë këtë e kam bërë, e kam respektuar Kushtetutën pavarësisht akuzave që vinë e shkojnë”, ka shtuar Osmani. /Lajmi.net/