Mentor Haziri reagon për herë të parë pas largimit nga Big Brother VIP Kosova 4, tregon arsyet e dorëheqjes

Këngëtari i njohur i muzikës rock, Mentor Haziri, ka reaguar për herë të parë pas largimit të tij të menjëhershëm nga Big Brother VIP Kosova 4. Artisti u tërhoq nga gara pa kaluar ende 24 orë brenda shtëpisë, një vendim që shkaktoi reagime dhe kuriozitet të madh te publiku. Në një shkrim të gjatë në…

ShowBiz

20/11/2025 09:32

Këngëtari i njohur i muzikës rock, Mentor Haziri, ka reaguar për herë të parë pas largimit të tij të menjëhershëm nga Big Brother VIP Kosova 4. Artisti u tërhoq nga gara pa kaluar ende 24 orë brenda shtëpisë, një vendim që shkaktoi reagime dhe kuriozitet të madh te publiku.

Në një shkrim të gjatë në InstaStory, Haziri ka shpjeguar arsyet e vërteta që e çuan drejt dorëheqjes, duke treguar se pas këtij vendimi qëndron një dhimbje e madhe familjare.

“Ju falënderoj nga zemra të gjithëve e veçanërisht produksionin e Big Brother VIP Kosova. Ju më keni prit si me qenë njeri i shtëpisë, me zemër të hapur, me respekt e me shumë dashni”, shkroi ai fillimisht, duke e vlerësuar stafin për profesionalizmin dhe mikpritjen që i kishin treguar.

Artisti zbuloi se vetëm një ditë para se të hynte në shtëpinë e BBVK, ai kishte varrosur djalin e dajës, i cili ishte sjellë nga Amerika pas disa ditësh pritjeje. Një humbje që e tronditi thellë emocionalisht.

“Dhimbja ishte shumë e madhe për ta përballuar për një njeri që ka qenë shumë i afërt me mua… Zemërthyerja ishte më e madhe se sa ky vendim dhe ajo bëri të veten”, shkroi ai, duke shtuar se, pavarësisht vullnetit për të respektuar fjalën e dhënë për të qenë pjesë e spektaklit, gjendja e tij emocionale nuk i lejonte të vazhdonte.

Mentori tha se po të qëndronte më gjatë në shtëpi, do t’i bënte dëm vetes dhe gjithë formatit, pasi nuk ishte në gjendje të jepte as energjinë, as humorin, as debatet apo këngën që publiku mund të priste prej tij.

Megjithatë, ai nuk kurseu fjalët e mira për Big Brother VIP Kosova, duke e vlerësuar si një produksion të nivelit të lartë. “BB Kosova VIP është një super produksion, me nivel shumë të lartë, që krahasohet dhe tejkalon shumë nga formatet e tilla në Evropë e në botë. Banorët brenda janë fantastik, me energji e humor të madh”, u shpreh ai.

Në fund të mesazhit të tij, këngëtari uroi të gjithë banorët për një rrugëtim të mbarë dhe spektakël të paharrueshëm, ndërsa falënderoi edhe një herë produksionin për mirëkuptimin dhe respektin.