Kosova – Pa buxhet e pa qeveri
Dy seancat e Kuvendit të Kosovës, njëra që pikën më të rëndësishme kishte buxhetin për vitin 2026 dhe tjetra formimin e Qeverisë, kanë përfunduar me epilogun – të dështuara. Në seancën e pasdites, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk ka arrit ta bindë shumicën e deputetëve për ta votuar kabinetin e tij…
Lajme
Dy seancat e Kuvendit të Kosovës, njëra që pikën më të rëndësishme kishte buxhetin për vitin 2026 dhe tjetra formimin e Qeverisë, kanë përfunduar me epilogun – të dështuara.
Në seancën e pasdites, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk ka arrit ta bindë shumicën e deputetëve për ta votuar kabinetin e tij qeveritar. Mbështetja për të nuk dalloi nga ajo që mori Albin Kurti në përpjekjen e parë për krijimin e Qeverisë, në seancën e 26 tetorit. Konjufca, në seancën e mbajtur të mërkurën mori 56 vota për, të pamjaftueshme për ta funksionalizuar përbërjen e re të ekzekutivit.
Kundër votuan 53 deputetë, të gjithë nga radhët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe.
Ndërkaq abstenuan tre deputetët e Nismës dhe deputeti nga grupi multi-etnik, Veton Berisha.
Para deputetëve, Konjufca prezantoi kabinetin qeveritar me ndryshime të vogla nga ai i prezantuar nga Albin Kurti në tentimin e parë.
Për zëvendëskryeministër e ministër të Punëve të Jashtme Konjufca e propozoi Albin Kurtin e për ministër të Infrastrukturës Besnik Bislimin dhe hoqi Dimal Bashën nga kjo pozitë që Kurti ia pati besuar në kabinetin e tij në tentativë.
Konjufca derisa kërkoi votën nga deputetët, tha se nëse nuk formohet Qeveria e tij, Kosova do të thellohet në krizë.
Ai tha se Vetëvendosje u përpoq ta shmangë këtë situatë dhe zgjedhjet e parakohshme në tri mënyra.
“Së pari, dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë të cilat u refuzuan. Së dyti përpjekja në Kryesinë e Kuvendit të gjendet një marrëveshje për themelimin e komisioneve parlamentare së paku për trajtimin e buxhetit edhe kjo dështoi dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tash”, ka thënë Konjufca.
Ish-kryeparlamentari Konjufca u shpreh se nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, deputetët që lejuan këtë duhet t’i bartin vetë përgjegjësitë.
Ai përmendi shembullin e para disa vjetëve kur LVV-ja, sipas tij, tejkaloi inatet politike për interesin shtetëror.
“Ne e ditëm që po të mos votohej buxheti i kryeministrit Hoti, do t’ia bënim një goditje simbolike atij, por goditjen më të madhe do ta merrnin policët, ushtarët, administrata, mjekët. Ne kapërcyem vetëm atë ditë sot po kërkojmë të njëjtën nga ju”, ka deklaruar Konjufca.
Por, në opozitë e quajtën farsë seancën e sotme dhe thanë se megjithëse LVV-ja e diti paraprakisht rezultatin, e thirri atë që t’ia hidhte fajin.
“Nuk ka njeri as në Lëvizjen Vetëvendosje e as vetë kandidati Konjufca që beson se vetë mund të jetë kryeministër i vërtetë e zoti Kurti zëvendës i tij”, ka thënë deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.
Ndërsa, kryetari dhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kritikoi Albin Kurtin për siç tha strategjinë për të krijuar kundërshtarë.
“Albin Kurti i Vetëvendosjes zgjohet çdo ditë çdo mëngjes në një botë që e ka krijuar vetë dhe në atë botë, Albin Kurti i LVV-së, sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë. Kundërshtarë që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë, na thotë krejtve. Edhe ty gjeneral Hadërgjonaj, edhe ty Ramush, edhe ty Fatmir”, është shprehur Abdixhiku.
E, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ironizoi me fjalimin e Konjufcës, duke thënë se ai fjalim tregon për qëllimin e krijimit të një qeverie me mandat të shkurtër.
“Kandidati i sotëm, mandatari i ri në këtë rast zoti Konjufca, foli për disa qëllime, përmendi vitin 2026, nuk dëgjuam vite tjera, për 2027, 2028, 2029, thua se po aplikon për një qeveri njëvjeçare”, ka thënë Haradinaj.
Qëndrimet e tyre deputetët oponentë të LVV-së i materializuan me votë kundër.
Me votimin e Konjufcës janë konsumuar të dy propozimet për mandatarët për ta bërë Qeverinë. Vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Për shpalljen e tyre do të vendosë presidentja Vjosa Osmani.
Seanca për buxhetin, LVV-ja mban mbledhje pa kuorum
Pa u siguruar e konstatuar kuorumi i nevojshëm, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e hapi dhe e zhvilloi seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje para asaj për zgjedhjen e Qeverisë.
Deputetë të PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës Socialdemokrate nuk morën pjesë në këtë seancë, siç paralajmëruan më parë.
Prezentë nuk ishin as deputetët e Listës Serbe dhe as deputetja boshnjake, Duda Balje.
Në këtë seancë synohej formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe i projektligjit për buxhetin e 2026-s, miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin-Potokut, si edhe trajtimi i çështjes së financimit të RTK-së. E me gjithë mungesën e kuorumit, kryeparlamentari ua dha mundësinë e deklarimit deputetëve të LVV-së.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila u kërkoi partive të tjera parlamentare që të marrin pjesë në seancë.
“Nuk e kemi për betejë politike. Marrëveshjet nuk janë për parti, por për qytetarët. Pa ato miratime, humbin fondet por edhe një pjesë e ndërgjegjes suaj”, ka thënë Kusari-Lila.
Gjatë fjalimit të saj, në seancë u paraqit deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Ai e quajti të kundërligjshme mbajtjen e kësaj seance si dhe trajtimin e pikave, mes të cilave edhe atë për buxhetin e 2026-s.
“Për ta ilustruar këtë. Kjo nënkupton që kryeministri Kurti të cilin e kam përballë këtu dhe ministrin e Financave në rreshtin e parë të deputetëve, po dëshiron të dalë tek ulëset e Qeverisë ta propozojë Ligjin për Buxhetin dhe të shkojë pesë hapa të tjerë, të ulet te deputetët dhe ta votojë si deputet. Nuk mund të ndodhë kjo”, ka theksuar Gruda.
Fjalimi i tij nxiti replika nga deputetë të Vetëvendosjes, që edhe e ndërprenë disa herë gjatë deklarimit.
“Buxheti nuk është i Albin Kurtit, është i qytetarëve. Me pasë Prokurori të përgjegjshme, të gjithë ata që tentojnë ta fusin vendin në krizë sociale do të duhej të përgjigjeshin penalisht. Ne kemi mundur të bëjmë qeverinë por nuk bëjmë pazare, siç keni bërë ju. Me tendera, ambasada, me Listën Serbe që e keni pritë me orë të tëra në Kuvend. Ne shkojmë në zgjedhje, pastaj qytetarët jua japin ndëshkimin që e meritoni”, ka thënë deputetja Albulena Haxhiu.
Pas debatit me Grudën, foli edhe kryetari i Vetëvendosjes e kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai tha se Kosova do të humbë me miliona euro nëse vendi shkon në zgjedhje pa miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas tij, është opozita e mandatit të shkuar ajo që rrezikon ta lërë vendin pa buxhet me mospjesëmarrjen në seancë.
“Nëse ne qenkemi vonuar, përse nuk janë këtu për të na lënë neve fajin e popullit buxhetin”, ka pyetur Kurti.
Seanca u ndërpre nga kryeparlamentari por nuk u përmbyll. Ai tha se e pret reflektimin e partive opozitare për ta trajtuar rendin e ditës edhe në mbledhje të kryesisë dhe që çështjeve t’u jepet epilog brenda kësaj seance.
Ish-opozita: Seanca në kundërshtim me ligjin, rendin kushtetues e rregullat e punës së Kuvendit
Liderët dhe disa nga deputetët e partive deri tash në opozitë e arsyetuan mungesën në seancën e paradites nëpërmjet konferencave për media të mbajtura pak minuta para nisjes së saj. Përfaqësues të PDK-së, LDK-së e Nismës thanë se mbajtja e saj është në kundërshtim me ligjin, rendin kushtetues e rregullat e punës së Kuvendit.
“Kjo seancë që do të mbahet është farsë, është turp politik. Nuk është zgjidhje por tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme. Kur vjen puna për të krijuar institucione e për të kryer punë kemi zvarritje e manipulim afatesh nga Lëvizja Vetëvendosje. Kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë, nxitim i çuditshme, madje duke shkelur rëndë rendin kushtetues”, ka deklaruar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Me thirrjen e seancës për buxhetin, sipas deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, Vetëvendosje po i shfrytëzon institucionet shtetërore si instrument për lojëra politike.
“Në agjendën e seancës kanë përfshirë propozim-buxhetin politik të Kosovës për vitin 2026, marrëveshje ndërkombëtare, kredi-borxhe që do të duhej të kishte proces serioz dhe jo improvizime të ngutshme që shpërfillin rregulloren dhe agjendën shtetërore në dekor fushate. Pikërisht për këtë arsye LDK-ja nuk merr pjesë në një proces kaq të papërgjegjshëm”, ka thënë Zemaj.
Arsyetimin për mospjesëmarrje në seancë, para fillimit të saj, e dha edhe Nisma Socialdemokrate.
“Është seancë e thirrur jashtë rregullave ligjore, nuk i plotëson rregullat e punës së Kuvendit. Dhe që sigurisht që një gjë e tillë dhe një çështje kaq e rëndësishme siç është buxheti të bjerë ndesh edhe me rregulloren e punës edhe me ligjet në fuqi, Nisma nuk ka votë për këtë pjesë”, është shprehur deputetja e Nismës, Arbëresha Krasniqi.
Me gjithë deklarimet e partive deri tash në opozitë kundër kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të diskutimeve për të.
Ndërsa, referuar zhvillimeve të fundit, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është duke shënuar nivelin më të lartë të parregullsive kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Kosovës.