“Po tentojnë të më njollosin mua” – Agim Bahtiri jep një sqarim për fotot me Rakiqin e Shehollin

Gjatë ditës së sotme janë publikuar disa foto të deputetit të Vetëvendosjes, Agim Bahtri me të dyshuarin për spiutazh, Fatmir Sheholli edhe ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, Goran Rakiq. E lidhur me këtë ka qenë vetë deputeti Bahtri që përmes një postimi në rrjetin social në Facebook para pak minutave ka shpejguar arsyen e…

Lajme

19/11/2025 20:24

Gjatë ditës së sotme janë publikuar disa foto të deputetit të Vetëvendosjes, Agim Bahtri me të dyshuarin për spiutazh, Fatmir Sheholli edhe ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, Goran Rakiq.

E lidhur me këtë ka qenë vetë deputeti Bahtri që përmes një postimi në rrjetin social në Facebook para pak minutave ka shpejguar arsyen e këtyre fotove.

Bahtiri thotë se qytetarët e njohin atë shumë mirë se kush është ai, çfarë interesash përfaqëson dhe sa ka konsideratë e respekt për familjet e dëshmorëve.

Postimi i plotë:

SQARIM PUBLIK

Po e shoh që PDK-ja përmes portaleve të veta që i financon dhe propagandave të ulëta, po tenton të më njëllosë mua, gjëja se unë kam pasur afërsi me tashmë të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Sheholli, dhe ish kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç.

Prandaj, jo për ata, por për qytetarët e ndjej obligim moral dhe njerëzor që t’iu tregoj të vërtetën e këtyre fotografive që po qarkullojnë:

1. Fotografia me Fatmir Shehollin:

Me datë 1 nëntor 2022, gazetari i televizionit Kanal10, z. Kushtrim Sadiku, ka mbajtur një debat televiziv në ambientet e urës së Ibrit, pra një studio të hapur. Pas debatit që ka realizuar, më ka telefonuar dhe më ka thënë se jam në Mitrovicë me disa miq, në restaurant “Ura” dhe do të donim nëse je në Mitrovicë të na shoqërosh për një kafe.

Kam shkuar, dhe në këtë takim ishin të gjithë këta që po i shihni në foto të cilën për herë të parë po e publikoj të plotë, si dhe disa të tjerë, të cilët i shihni çdo natë nëpër televizione si analistë. Shehollin për herë të parë e kam njohur aty, si analist politik dhe asgjë tjetër. Kjo ka qenë edhe hera e fundit kur jam takuar me të. Nuk më kujtohet se kush e ka realizuar fotografinë, por e di se kjo foto është bërë me një qëllim të qartë, për shkak se asnjëherë nuk është postuar si e plotë por është prerë dhe është postuar ekskluzivisht në profilin personal të Fatmir Shehollit. Pra, është prerë dhe është postuar ashtu siç i ka konvenuar atij dhe vartësve të tij. Këtu mbaron sqarimi im për këtë fotografi.

2. Fotografia me Goran Rakiç:

Siç e dini të gjithë, ai ka qenë kryetar i komunës së Mitrovicës Veriore, në kohen kur unë kam qenë kryetar i Mitrovicës së Jugut. Rrjedhimisht, me apo pa dëshirë, unë dhe ai kemi qenë homologë. Me presionin dhe ndërmjetësimin e Nderkombëtarëve, jemi takuar për të bërë hapa progresivë për të mundesuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kjo foto, që gjithashtu po qarkullon e prerë është realizuar në vitin 2018, ku Admirali FOGGO III, Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli, dhe gjeneral major CUOCI, Komandant i KFOR-it, kanë vizituar Mitrovicën dhe me insistimin e tyre jemi takuar në Uren e Ibrit. Kaq! Pra, unë jam takuar vetëm zyrtarisht, në Urë të Ibrit, së bashku me ndërkombëtaret çdoherë. Kurrë nuk jam takuar miqësisht; kurrë nuk kam ngrënë dreka e darka në hotele e villa. Sepse unë kurrë nuk jam si ata. Dhe kurrë nuk do të jem.

Unë nuk e kam bërë ministër të Pushtetit Lokal, Rakiçin në Qeverinë e Avdullah Hotit. Për këtë duhet të shqetësoheni ju, e jo për këto propaganda falso!

Qytetarët që më njohin, e dinë se kush jam unë, çfarë interesash përfaqësoj dhe sa kam konsideratë e respekt për familjet e dëshmorëve.

Do të vijë koha, kur në shesh do të del gjithçka. Qartë dhe mirë. Mezi pres të hy ne debat me ta dhe t’i tregoj të gjitha faqet e zeza dhe turpin që e kanë bërë këta ndër vite. Mos mendoni se nuk dimë asgjë! Nuk ka djalë nëne, që më fut mua në thes me juve.