Hoxha: Presidentja gaboi me mandatimin e Konjufcës për formimin e qeverisë

Avokati, Valdet Hoxha ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani ka gabuar kur mandatoi për herë të dytë Lëvizjen Vetëvendosje, përkatësisht Glauk Konjufcën, për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Sipas tij, ishte e qartë se as Konjufca, sikurse më herët Albin Kurti nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeministër. Hoxha ka…

Lajme

19/11/2025 18:59

Avokati, Valdet Hoxha ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani ka gabuar kur mandatoi për herë të dytë Lëvizjen Vetëvendosje, përkatësisht Glauk Konjufcën, për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Sipas tij, ishte e qartë se as Konjufca, sikurse më herët Albin Kurti nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeministër.

Hoxha ka shtuar se presidentja duhej të shpallte zgjedhjet e reja, pasi përpjekja për një qeveri “Konjufca 1” ishte, siç e cilësoi ai, “blerje kohe dhe kalkulim për fushatë”.

“Ka qenë e dukshme nga partitë ish-opozitare se nuk ekzistojnë 61 vota për asnjërin kandidat. Nuk ka pasur partner qeverisës dhe prandaj s’duhej humbur kohë. Zgjedhjet duhej të shpalleshin menjëherë”, tha Hoxha  në Tëvë1, duke shtuar se vendi rrezikon të mbetet në bllokadë institucionale nëse vazhdon zvarritja.

Ai tutje ka theksuar se mandati i dytë për formimin e qeverisë duhej dhënë vetëm nëse një parti apo koalicion i mundshëm demonstronte qartë disponueshmërinë e 61 votave përmes nënshkrimeve ose deklarimeve publike.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, sa i përket datave të mundshme të zgjedhjeve të reja, Hoxha përmendi dy opsione të realizueshme në aspektin ligjor: 21 dhjetorin dhe 28 dhjetorin.

“Besoj se këto dy data janë të kristalizuara ligjërisht. Shpresoj që të mbahet më 21 dhjetor, për arsye praktike dhe organizative. KQZ duhej ta kishte lexuar situatën dhe të ishte e përgatitur për këtë skenar”, deklaroi ai.