Haliti: Dështimi i mandatimit të Konjufcës ishte i paralajmëruar, VV-ja nuk siguroi marrëveshje politike

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar dështimin e seancës së sotme të Kuvendit, ku mandatarit të propozuar nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca, nuk iu dha mbështetja për formimin e qeverisë. Haliti tha se Vetëvendosja ka dështuar të krijojë marrëveshje politike, duke lënë vendin për muaj të tërë pa qeveri funksionale. Haliti vlerësoi…

Lajme

19/11/2025 18:33

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar dështimin e seancës së sotme të Kuvendit, ku mandatarit të propozuar nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca, nuk iu dha mbështetja për formimin e qeverisë.

Haliti tha se Vetëvendosja ka dështuar të krijojë marrëveshje politike, duke lënë vendin për muaj të tërë pa qeveri funksionale.

Haliti vlerësoi se situata me Konjufcën është e njëjtë si me kandidatët e mëparshëm të kësaj partie.

“Mendoj që është e njëjta situatë si me Galukun, si me Albinin, sepse ata kanë të njëjtën politikë. Duhet të zbatojnë politikën e partisë së vet dhe besoj që nuk duhet të veprojnë pa marrëveshje,” u shpreh ai.

Ai theksoi se deputetët shpesh fokusohen në aspiratat për pushtet, duke anashkaluar interesat e qytetarëve.

“Ne shumë herë flasim për pushtet dhe harrojmë që deputeti është përfaqësues i popullit. Në radhë të parë duhet parë interesin e popullit dhe jo të pushtetit,” deklaroi Haliti.

Sipas tij, vendi ka humbur 10 muaj pa qeveri, ndërsa mosarritja e marrëveshjes nga Vetëvendosja për krijimin e shumicës është përgjegjësi e saj.

“Dhjetë muaj kanë ikur pa qeveri. VV-ja u përpoq të zëvendësonte Albinin me Glaukun, por mosarritja e marrëveshjes me dikë nga politika është e metë dhe do të thoja që është dështim i VV-së,” tha ai.

Haliti shtoi se ky rezultat ishte i pritshëm, pasi deklarimet e mëhershme e kishin paralajmëruar humbjen e votave për Konjufcën.

“Nuk është problem pse ndodhi kjo me Glaukun, sepse kjo ka qenë e ditur. Nëse politika e partive nuk krijon marrëveshje dhe nuk merren vesh, atëherë është vështirë të krijohet qeveria. Në këtë rast, beteja ka qenë për pushtet,” theksoi ai në Tëvë1.

Në lidhje me rolin e presidentes në proces, Haliti tha se ajo ka vepruar sipas mandatit të saj kushtetues.

“Ajo nuk ka gabuar; ajo e ka për detyrë të veprojë në atë mënyrë,” përfundoi Haliti.