Krasniqi kritikon VV-në për dështimin e formimit të qeverisë: Kosova ka nevojë për stabilitet, seriozitet dhe qeverisje që merr përgjegjësi
Deputeti i PDK-së, Meli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të radhës për formimin e qeverisë, duke e cilësuar seancën e sotme si “skemë të dështimit të paralajmëruar”. Ai tha se pas më shumë se nëntë muajsh zvarritje, partia fituese e zgjedhjeve sërish nuk arriti të sigurojë shumicën për krijimin e kabinetit qeverisës, raporton lajmi.net Krasniqi…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Meli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të radhës për formimin e qeverisë, duke e cilësuar seancën e sotme si “skemë të dështimit të paralajmëruar”.
Ai tha se pas më shumë se nëntë muajsh zvarritje, partia fituese e zgjedhjeve sërish nuk arriti të sigurojë shumicën për krijimin e kabinetit qeverisës, raporton lajmi.net
Krasniqi akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për “mentalitet bllokues dhe arrogant”, duke theksuar se kjo qasje e ka mbajtur vendin në krizë institucionale për një kohë të gjatë. Sipas tij, VV nuk ka zgjedhur dialogun si mjet politik, por konfliktin, dhe sipas tij, ka vënë interesin partiak para atij shtetëror.
“Si PDK, e kemi thënë qysh në fillim se nuk japim vota për vazhdimin e kësaj keqqeverisjeje”, shkroi Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
Pas më shumë se 9 muajsh zvarritje dhe improvizime, partia që doli e para në zgjedhje përsëri nuk arriti të formojë qeverinë. Edhe seanca e sotme ishte një skemë e dështimit të paralajmëruar.
Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i mentalitetit bllokues dhe arrogant të Vetëvendosjes, që e ka mbajtur vendin në krizë institucionale për muaj të tërë.
Është rezultat i qasjes së një partie që nuk zgjodhi dialogun, por konfliktin; që nuk kërkoi zgjidhje, por përplasje; dhe që interesin e vendit e vuri pas interesit të vet partiak.
Si PDK, e kemi thënë hapur që nga dita e parë: nuk japim vota për vazhdimin e kësaj keqqeverisjeje.
Tani përgjegjësia është e qartë: Presidentja duhet të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve, që të mos humbim edhe më shumë kohë.
Kosova ka nevojë për stabilitet, seriozitet dhe qeverisje që merr përgjegjësi. PDK është gati për zgjedhje dhe për t’i dhënë vendit drejtim të ri./Lajmi.net/