BE-ja dorëzon tetë automjete dhe pajisje teknike për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës

Ceremonia e përurimit të Qendrës për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari në Blinajë është mbajtur sot, ku u dorëzuan edhe tetë automjete të terrenit dhe pajisje teknike për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të financuara nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e Suedisë. Kjo Qendër synon forcimin e aftësive profesionale dhe rritjen e…

Lajme

19/11/2025 15:57

Ceremonia e përurimit të Qendrës për Ngritjen e Kapaciteteve në Pylltari në Blinajë është mbajtur sot, ku u dorëzuan edhe tetë automjete të terrenit dhe pajisje teknike për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të financuara nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e Suedisë.

Kjo Qendër synon forcimin e aftësive profesionale dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e pyjeve në vend. Përveç qendrës, Agjencia është pajisur edhe me automjete dhe pajisje të reja teknike për të përmirësuar punën në terren.

Gjatë ceremonisë, shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Hubert Perr, theksoi rëndësinë e investimit në mbrojtjen e pyjeve dhe rritjen e kapaciteteve profesionale. Ai nënvizoi se zjarret pyjore po rriten çdo vit dhe nevojiten automjete moderne për t’i menaxhuar ato.

“Pyjet janë një nga thesaret më të mëdha të Kosovës. Me këtë Qendër të re dhe pajisjet që po dorëzojmë sot, ne po investojmë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe te njerëzit që i mbrojnë këto peizazhe për brezat që do të vijnë… Të ju mundësojmë në njërën anë seanca trajnimi, sikur sot, por edhe duke ju përmirësuar kushte të punës duke ju dorëzuar mjete kritike, prej të cilës janë 8 Beagle, për të ju ndihmuar me inspektim. Më parë kemi dorëzuar 6 Maple, por çështja është edhe te mjetet e luftimit kundër zjarrit. Për shkak të ndryshimeve të planetit dhe përvojave të ndryshme çdo vit. Zjarret e egra çdo verë po bëhen më të shpeshta, ju keni nevojë për mjetet e domosdoshme që të zvogëloni zjarret që nga fillimi, prandaj jemi të lumtur që të ju përkrahim me këtë. Janë këto mjete që do të t’ua mundësojnë të kryeni punën më mirë, më me efiçiencë, më me efikasitet, qoftë dronët, qoftë njësitë GPS, kamerat dhe mjete ndriçimi që do t’ua mundësojë Agjencisë së Pyjeve të Kosovës”, tha Perr.

Nga ana e tij, Henrik Riby, shef i bashkëpunimit për zhvillim në Ambasadën e Suedisë, tha se partneriteti me Kosovën ka sjellë investime të rëndësishme, por institucionet ende përballen me sfida në absorbimin e mbështetjes dhe luftimin e aktiviteteve ilegale pyjore.

“Ky event dëshmon që përgjegjësia e përbashkët dhe qëllimi i përbashkët forcon sistemin dhe mbron këto burime. Së bashku me BE-në kemi investuar 2.5 milionë euro gjatë viteve të fundit që të mbështesim reformat e reja, trajnimet e stafeve, sistemin e informimit, plane të reja të menaxhimit, mjete komunikimi, ardhje të forcave kombëtare, si dhe të gjithë mjetet që vijnë nga BE. Këto burime mbrojnë fondacionin e të ardhmes, por prapë, aktivitet informale nuk janë rritur së fundi. Institucionet po hasin vështirësi që të absorbojnë mbështetjen e siguruar. Në shumë aspekte, situata është e ngjashme me vitin 2019, me agjencitë e huaja të Kosovës, më të forta, por prapë, me burime të limituara. Por më lartë se kurrë me shërbimet e juaja. Kjo tregon se mjetet janë një fillim i mire, por nuk mjafton”, tha ai.

Ndërkohë, zëvendësministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviç, tha se mbështetja ndërkombëtare ka sjellë përmirësime të mëdha dhe pajisjet e reja do ta rrisin efikasitetin e Agjencisë së Pyjeve.

“Gjatë viteve të fundit, nëpërmjet projekteve të financuara nga donatorët, sektori i pylltarisë në Kosovë ka marrë mbështetje të rëndësishme profesionale, e cila ka mundësuar forcimin dhe zhvillimin e kapaciteteve, si dhe përmirësimin e përdorimit të qëndrueshëm të resurseve pyjore. Gjendja e përgjithshme në sektorin e pylltarisë në Kosovë shënon përmirësime të rëndësishme, së bashku me situatën aktuale socio-ekonomike, e cila padyshim ka kontribuar në njohjen më të mirë të vlerave, potencialit dhe gjendjes së përgjithshme të pyjeve të Kosovës… Me këto pajisje, Agjencia e Pyjeve të Kosovës do të jetë edhe më efikase në zhvillimin e detyrave profesionale dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve”, tha Radulovicc.

Drejtori i Departamentit për Menaxhim me Pyje në APK, Menderes Ibra, tha se automjetet dhe pajisjet teknike tashmë kanë lehtësuar punën e ekipeve në terren, sidomos në mbrojtjen nga zjarret.

“Agjencia Pyjore e Kosovë ka pranuar edhe pajisje teknike duke filluar nga kjo qendër në blinajë, por ne po ashtu edhe makinat qe janë tetë dhe më herët kemi pranuar gjashtë dhe pajisje të teknologjisë informatike të cilat janë të nevojshme për punën e stafit tonë në terren. Këto pajisje e kanë lehtësuar punën e stafit tonë me synim rritjen e efikasitetit të punës së tyre ne teren. Edhe pajisjet për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri janë edhe trajnimet por mos të harrojmë përmes programit janë kryer edhe trajnime të shumta për stafin e agjencisë pyjore”, tha Ibra.

Në fund, Naser Krasniqi nga FAO, theksoi se ky investim po ndihmon ndjeshëm në luftimin e prerjeve ilegale dhe veprimtarive të tjera të paligjshme në pyje.

“Kjo konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të partneritetit ndërkombëtarë me institucione e Kosovës me përkrahje në sektorin e pylltarisë… Këto janë adekuate she kontribuojnë në mënyrë efikase në luftimin e veprimtarive të paligjshme pyjore”, shtoi Krasniqi.

Kostoja e përgjithshme e kësaj Qendre me pajisje kap vlerën prej 2.5 milionë eurove.