Konjufca: Në zgjedhje secili bart mbi supe përgjegjësi të reja e shpenzohen edhe 8 milionë euro- bëni si ne më 2020, kur votuam buxhetin e Hotit

I mandatuari për propozimin e kabinetit të ri qeveritar në seancën e sotme, Glauk Konjufca deklaroi se do të duhej që të shmangeshin zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit. Në adresimin e tij, Konjufca tha se nëse kjo nuk do të ndodhë kriza do të thellohet. “Pa një qeveri të re, vendi ynë e ka sigurt…

Lajme

19/11/2025 15:00

I mandatuari për propozimin e kabinetit të ri qeveritar në seancën e sotme, Glauk Konjufca deklaroi se do të duhej që të shmangeshin zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në adresimin e tij, Konjufca tha se nëse kjo nuk do të ndodhë kriza do të thellohet.

“Pa një qeveri të re, vendi ynë e ka sigurt thellimin e krizës aktuale”, ka thënë Konjufca.

Ai tha se arritjet e shtetit të Kosovës gjatë drejtimit të shtetit nga Albin Kurti nuk janë të vogla.

“Votimi i 26 tetorit i parapriu një krizë gjashtë mujore që ishte rezultat i pamundësisë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vit që humbi në përpjekje për të themeluar institucionet tona Kuvendit dhe Qevrisë. Arritjet e shtetit tonë nuk janë të vogla, po hyjmë në vitin e 5-të me rritje ekonomike prej 4.5 përqind. Mbledhja e brendshme e tatimeve ka shënuar rritje enorme, në veri të vendit janë luftuar me sukses strukturat e Serbisë të lidhura me krimin dhe kontrabandën e buxheti për mbrojtje është katërfishuar.U mundësua lëvizja pa viza dhe erdhën tri njohje shumë të rëndësishme për Kosovën. Këto janë bërë falë punës së mirë të qeverisë Kurti.Tash jemi në fazën e mandatarit të dytë për krijimin e qeverisë.Përmes qeverisë së propozuar sot synojmë të kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale, do të ishte arrogancë të qonim vendin tonë drejt e në zgjedhje, pasi patëm disa palë zgjedhje. Tash nëse shkojë në zgjedhje të reja edhe në dhjetor kush na garanton se do t’i shmangim ato edhe në mars, s’ka kurrfarë garancie. Nëse kjo ndodhë institucionet duhet të jenë të përgatitura, e për qytetarët rraskapitës, e për KQZ-në një krizë që s’e kanë provokuar e për taksat e popullit edhe 8 milionë euro të tjera të harxhuara pa arsye”,deklaroi Konjufca, transmeton lajmi.net.

Ai tha se “ideja e domosdoshmërisë për qeverinë përmes një mandatari të dytë lindi pas dështimit të tentimit të kaluar”.

“Tre hapa esenciale janë ndërmarrë nga VV-ja për shmangien e zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Së pari dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë që u refuzuan, së dyti që në Kryesi të gjendet marrëveshja për komisione së paku për buxhet dhe e treta është kjo e fundit, ku ndodhemi tash . Votimi i qeverisë së mandatarit të dytë. Nëse dështon edhe kjo shkohet pashmangshëm në zgjedhje të reja, e duhet ta dimë secili se çka bart mbi supe e këto janë përgjegjësi të ndryshme. Disa çështje që Qeveria do t’i trajtoje me urgjencë janë buxheti i vitit 2026, marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, ekzekutimi i pagave të punëtorëve të RTK-së si dhe miratimi i buxhetit për komunat, Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok”,tha ai.

Konjufca po ashtu tha se kërkon diçka që si Vetëvendosje e kishin bërë në vitin 2020.

“Po kërkoj diçka që ne vetë e kemi pas bërë në vitin 2020. Të gjithëve na kujtohet se si VV e pati votuar buxhetin e qeverisë Hoti më 2020. Neve nuk na u patë dukur ai buxhet i personit Avdullah Hoti, por i shtetit të Kosovës. Edhe ne mund të mos e kishim votuar atë buxhet, por do të bëheshin përgjegjës për një krizë nga e cila rrezikoheshin të gjitha pagat e sektorit publik. Ne e bëm dallimin mes interes publik dhe betejës politike të përditshme. E dinim se po të mos votonim do t’i bënim goditje simbolike Hotit, por goditjen më të madhe do e merrnin ushtarë te policët, mjekët e infermierët, administrata e të tjerë. Ne e kapërcyem atë, e njëjta po kërkohet nga ju tani”./Lajmi.net/