Murati bën apel që të votohen pikat e rendit të ditës: Rrezikojmë të humbim mbi 200 milionë euro, RTK të mos ketë buxhet e pagat të sektorit publik të mos dalin

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka lutuar dhe ka apeluar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votohet sot buxheti për RTK-në, ai për tri komunat për vitin 2025, marrëveshjet ndërkombëtare si dhe buxheti për vitin 2026. Ai ka përmendur disa prej dëmeve nëse sot nuk miratohen këto ligje. “Për buxhetin e RTK-së…

Lajme

19/11/2025 12:41

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka lutuar dhe ka apeluar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votohet sot buxheti për RTK-në, ai për tri komunat për vitin 2025, marrëveshjet ndërkombëtare si dhe buxheti për vitin 2026.

Ai ka përmendur disa prej dëmeve nëse sot nuk miratohen këto ligje.

“Për buxhetin e RTK-së nevojitet funksionalizimi i komisionit për buxhet, punë dhe transfere. Nuk e kundërshton asgjë që kjo të bëhet. Nëse kjo nuk ndodh sot, problemi do të stërkeqësohet edhe më tepër sepse edhe nëse shkojmë pa buxhet në vitin e ardhshëm, sepse për pjesën tjetër të administratës mund të ndahet 1/12 për janar e shkurt, por për RTK-në as kjo nuk mund të bëhet. Në mungesë të komisionit për buxhet, rrezikohet që RTK të mos ketë buxhet deri në fund të marsit dhe kjo është katastrofale për transmetuesin publik. Me mosfunksionalizimin e buxhetit të RTK-së, rrezikohet që RTK të mbetet pa buxhet deri në mars nëse në rastin më të mirë do të kishte buxhet.

Buxheti për tri komuna për vitin aktual, Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok. Janë me miliona euro fatura dhe detyrime të bllokuara që kanë lënë qoftë operatorë ekonomik, qoftë ndërmarrje publike pa paga dhe nëse kjo nuk miratohet pra buxheti i vitit 2025 dhe nuk lejohet që këto mjete të zbatohen, atëherë këto obligime kalojnë në vitin e ardhshëm fiskal dhe edhe nëse miratohet pastaj buxheti i vitit të ardhshëm, këto obligime do të merren me përmbarues dhe do të shkaktojnë një cikël tjetër problemesh në këto 3 komuna. Është e domosdoshme të miratohet buxheti i vitit 2025 për këto komuna sot.

Lus deputetët e opozitës që të reflektojnë të kthehen në seancë dhe të votojnë për këto buxhete.

Qështja tjetër janë marrëveshjet ndërkombëtare. Nëse këto marrëveshje nuk miratohen sot, rrezikojmë të humbim mbi 200 milionë euro pakthyeshëm. Janë 88 milionë euro nga plani i rritjes së BE-së të cilat humben, pra 10% të shumës së tërësishme dhe janë marrëdhëniet ndërkombëtare me Bankën Botërore të cilat nëse nuk i miratojmë me kohë deri në fund të vitit, edhe ato mjete do të humbin sepse janë shumë shtete që i presin fondet që Kosova i refuzon.

Pika tjetër dhe e fundit, është buxheti për vitin 2026. Edhe me ligjin për Qeverinë, neni 31 i ligjit, paragrafi 2 në kombinim me paragrafin 5 e mundëson që edhe Qeveria në detyrë të dërgoj para Kuvendit, projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal. Por, për më tepër kjo çështje është e rregulluar edhe me Kushtetutë. Ajo e thekson, që ligji për buxhetin është i vetmi ligj që vetëm qeveria ka të drejtë ta dërgoj në Kuvend. Nuk ka asnjë dilemë sa i përket edhe buxhetit për vitin 2026.

E vërtetë që ligji për financat publike e parasheh zgjatjen për 2 muajt e parë të vitit, nëse ka zgjedhje deri në fund të vitit fiskal. Megjithatë, kjo zgjidhje megjithëse do të ishte një zgjidhje emergjente, nuk mund të paguhen as pagat, as pensionet as të gjitha përfitimet tjera siç janë duke u paguar aktualisht sepse siç e dini pagat e sektorit publik ka pasur rritje në korrik të këtij viti, dhe nëse aplikohet çeku i janarit, duhet të paguhen pagat e janarit të vitit 2025, që nënkupton pagat në sektorin publik do të ishin 55 euro më të ulëta. Ngjashëm është edhe për pensionet dhe shtesat”, ka thënë Murati. /Lajmi.net/