Vetëvendosje e Guxo të vetëm në seancë, asnjë deputet nga partitë e tjera nuk shkon në Kuvend
Ka filluar seanca e thirrur për sot në ora 11:00. Seanca ka nisur pavarësisht se në sallën e Kuvendit të pranishëm janë vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe ata nga GUXO si dhe disa nga pakicat joserbe. Seanca është hapur nga kryeparlamentari Dimal Basha, derisa të pranishëm nuk janë as nënkryetarët e tjerë, përpos Albulena Haxhiut.…
Lajme
Ka filluar seanca e thirrur për sot në ora 11:00.
Seanca ka nisur pavarësisht se në sallën e Kuvendit të pranishëm janë vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe ata nga GUXO si dhe disa nga pakicat joserbe.
Seanca është hapur nga kryeparlamentari Dimal Basha, derisa të pranishëm nuk janë as nënkryetarët e tjerë, përpos Albulena Haxhiut.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka thënë se është i gatshëm të thërrasë një seancë tjetër të jashtëzakonshme lidhur me votimin e buxhetit 2026.
Kjo vjen pasi ish-opozita, ka bojkotuar këtë seancë të thirrur nga ora 11:00.
“Jam i gatshëm që sa më parë të thërras një mbledhje të kryesisë dhe bashkë me përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, që së paku të procedojmë me themelimin e katër komisioneve të përhershme, ku në këtë mënyrë do të mundësohej votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, buxhetit, buxhetit të tri komunave”, tha ai.
Seanca në fjalë pritet të dështojë, për shkak të mungesës së deputetëve të partive të tjera politike.
Nga PDK, LDK ,AAK dhe Nisma kanë njoftuar se s’do të jenë pjesë e kësaj seance ku do të diskutohej për buxhetin.
Në ora 14:00 pritet të mbahet edhe seanca e radhës, ajo për votimin e kabinetit qeveritar./Lajmi.net/
