Ora po afron: Basha kërkon ulëset plot nesër, opozita i lë bosh që sot
Kuvendi i Kosovës, ka ftuar për ditën e nesërme (e mërkurë) dy seanca. Njëra nga është ftuar nga ora 11:00 dhe tjetra nga ora 14:00, ndërkaq në të dyja ato do të shqyrtohen pika të ndryshme të rendit të ditës. Në seancën e parë, atë të orës 11:00, sipas njoftimit të Kuvendit, deputetët që do…
Lajme
Kuvendi i Kosovës, ka ftuar për ditën e nesërme (e mërkurë) dy seanca. Njëra nga është ftuar nga ora 11:00 dhe tjetra nga ora 14:00, ndërkaq në të dyja ato do të shqyrtohen pika të ndryshme të rendit të ditës.
Në seancën e parë, atë të orës 11:00, sipas njoftimit të Kuvendit, deputetët që do të marrin pjesë në atë seancë, pritet të shqyrtojnë plot nëntë pika të rendit të ditës.
“1.Formimi i komisioneve parlamentare,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit
Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026
8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
9. Çështja e financimit të RTK-së”, janë pikat që do të shqyrtohen në këtë seancë.
Por, siç ka deklaruar opozita, në këtë seancë pritet të marrin pjesë vetëm deputetët e grupit parlamentar të VV-së.
LDK, është partia e parë që ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, dhe përmes një komunikate për media kanë thënë se refuzojnë mënyrën e papërgjegjshme me të cilën sipas tyre VV po tenton të përdorë institucionet e Kosovës si instrument të lojërave të tyre politike.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë. Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës”, thuhet në atë komunikatë.
LDK ka thënë se agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim.
“LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë. LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, thuhet në komunikatë.
Se nuk marrin pjesë në këtë seancë, ka thënë edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku për lajmi.net.
“Sot kemi pasur mbledhjen e GP bashke me kryetarin Hamza, dhe ne nuk do të marrim pjesë në seancën e parë. Para fillimit të seancës do të mbajmë konferencë për shtyp”, ka thënë Çitaku.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, i cili ka theksuar se partia nuk e mbështet kandidimin e Glauk Konjufcës për kryeministër.
“Nesër nuk marrim pjesë në seancën e parë, në të dytën votojmë kundër”, tha Xhemaili.
Ndërsa nga Nisma, këtë lajm e kanë dhënë përmes një komunikate për media.
“NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime!”, thuhet në një nga pjesët e kësaj komunikate.
Se kjo seancë e jashtëzakonshme e thirrur për nesër nga ora 11 është e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues, ka thënë edhe Albert Krasniqi nga shoqëria civile.
“Nëse çështjet e renditura në rend dite do të merreshin me seriozitetin që pretendohet sot, vendi nuk do të mbahej i bllokuar për dhjetë muaj me radhë. Nuk as do të kalonim nëpër farsën e “përpjekjeve” të rreme për të gjetur marrëveshje me partitë e tjera për formimin e Qeverisë. Kjo seancë nuk është zgjidhje por është një manovër politike e pushtetit, të cilës i është bashkuar së fundi edhe Presidentja Osmani, për të zhvendosur fajin te të tjerët për pasojat e rënda financiare me të cilat do të pëballet vendi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se thirrjet për shkelje të qëllimshme të ligjshmërisë nuk janë as rrugëdalje dhe as zgjidhje por sipas tij, janë hapje e dyerve për të dalë krejtësisht nga binarët institucionalë dhe për të dëmtuar themelet e shtetit ligjor.
“Në vend të lojërave politike dhe përpjekjeve për të shpikur rrugë të jashtëligjshme, palët duhet të ulen dhe të dakordohen për krijimin e një qeverie teknike – një ekzekutiv me profil të ulët politik, me mandat të kufizuar në fushëveprim dhe kohëzgjatje, i cili ka vetëm një qëllim: ta nxjerrë vendin nga bllokada dhe të përgatisë zgjedhjet e ardhshme. Vetëm kthimi në legalitet dhe përgjegjësi institucionale mund ta nxjerrë vendin nga ngërçi. Gjithçka tjetër është thellim i krizës”, ka shkruar Krasniqi.
Se kjo seancë bie ndesh me ligjin, ka deklaruar edhe Eugen Cakolli nga IKD.
Sipas tij fillimisht duhet të votohet qeveria e pastaj të merren vendime tjera.
“Nëse pikat e rendit të ditës për seancën e nesërme – përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, kreditë, buxhetin e shtetit, buxhetet e disa komunave dhe financimin e RTK-së – qenkan kaq jetike, pse nuk u sollën për shqyrtim më herët? Pse jo gjatë 14 ditëve të mandatarit të dytë, gjatë 10 ditëve të konsultimeve të Presidentes, apo gjatë 15 ditëve të mandatit të parë? Pse pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues për formimin e Qeverisë ose shkuarjen në zgjedhje?! Përtej faktit që veprime të tilla bien ndesh me ligjin, rendi kushtetues dhe logjika parlamentare parashohin që fillimisht votohet Qeveria, e vetëm më pas merren vendime që krijojnë politika të reja, detyrime financiare dhe implikime ndërkombëtare.”
Sipas tij “nxitimi” për t’i votuar këto 9 pika të rendit të ditës së seancës së orës 11:00 tregon se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të arrijë të marrë votat e nevojshme.
Ai shton se nëse dështon miratimi i pikave të nesërme do të përdoret si kartë politike gjatë zgjedhjeve.
“I gjithë ky nxitim për të votuar “urgjentisht” buxhetin dhe marrëveshjet, pikërisht para skadimit të afatit për mandatarin e dytë, në fakt shpalos disa mesazhe politike. Së pari, duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme. Për më tepër, dështimi eventual për miratimin e pikave të nesërme do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Dhe së dyti, po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars – kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente”, ka shtuar Cakolli.
Seanca e thirrur nesër nga ora 11:00 nuk pritet të sjell rezultat dhe nuk do të arrihet të votohet asgjë vetëm me deputetët e VV-së dhe ata të minoriteteve të cilët ende nuk kanë dhënë një prononcim nëse do të marrin pjesë në këtë seancë apo jo.
Pa rezultat pritet të përfundoj edhe seanca e orës 14:00 për formimin e Qeverisë, pasi që nga VV nuk kanë dhënë asnjë deklarim për media nëse kanë arritur ti bëjnë 61 vota për Qeverinë Konjufca 1. /Lajmi.net/