Sindikata e RTK-së – deputetëve: Nesër reflektoni me maturi, në pyetje mirëqenia e 700 familjeve
Sindikata e Pavarur e RTK-së ka dërguar një letër të hapur për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët nesër pritet të mblidhen për të diskutuar mbi buxhetin e këtij mediumi publik. Në letër, SPRTK thekson se çështja e buxhetit tejkalon debatet e përditshme politike dhe prek drejtpërdrejt funksionimin e RTK-së, si dhe mirëqenien e…
Lajme
Sindikata e Pavarur e RTK-së ka dërguar një letër të hapur për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët nesër pritet të mblidhen për të diskutuar mbi buxhetin e këtij mediumi publik.
Në letër, SPRTK thekson se çështja e buxhetit tejkalon debatet e përditshme politike dhe prek drejtpërdrejt funksionimin e RTK-së, si dhe mirëqenien e 700 familjeve kosovare.
Sindikata i ka bërë thirrje deputetëve që nesër “të reflektoni me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi, në mënyrë që mbi 700 punëtorë të RTK-së t’i marrin pagat dhe të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të mediumit publik”.
“RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim të drejtë, profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen”, thuhet në letrën e hapur.
Sindikata nënvizon se, “pavarësisht bindjeve dhe ndarjeve partiake, çështja e transmetuesit publik është përgjegjësi e përbashkët institucionale”.
Po ashtu, SPRTK bën të ditur se prej tre javësh, mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk kanë marrë pagën e muajit tetor, gjendje kjo që po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe stabilitetin e funksionimit të transmetuesit publik.
Kuvendi ka njoftuar se nesër, me fillim nga ora 11:00, do të mblidhet për disa çështje, mes të cilave edhe diskutimi për buxhetin e RTK-së.