Rama dërgon kërkesë urgjente në Kushtetuese: Bllokimi i buxhetit – goditje politike ndaj Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar – siç e cilëson ai – bllokimin arbitrar të buxhetit të kryeqytetit nga Ministria e Financave. Sipas Ramës, ky veprim i paprecedentë rrezikon funksionimin e shërbimeve esenciale për qytetarët e Prishtinës: nga pastërtia dhe…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kërkesë urgjente në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar – siç e cilëson ai – bllokimin arbitrar të buxhetit të kryeqytetit nga Ministria e Financave.
Sipas Ramës, ky veprim i paprecedentë rrezikon funksionimin e shërbimeve esenciale për qytetarët e Prishtinës: nga pastërtia dhe mbështetja sociale, te mirëmbajtja e infrastrukturës dhe pagesat për punëtorët e kontraktuesit, transmeton lajmi.net.
Ai e ka quajtur këtë një goditje politike ndaj Kryeqytetit dhe qytetarëve të tij, duke theksuar se institucionet lokale nuk mund ta tolerojnë një situatë të tillë.
“Për këtë arsye, jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur ligjin, pavarësinë institucionale të komunave, të drejtat e qytetarëve tanë dhe vetë funksionimin e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka shtuar se, në një kohë kur Prishtinës i duhen zgjidhje dhe jo pengesa, pritet një vendim i shpejtë e i drejtë që të hapë rrugë për zbatimin e ligjit dhe rikthimin e stabilitetit financiar.
Ndërkohë, Rama ka akuzuar vazhdimisht Ministrinë e Financave dhe ministrin në detyrë, Hekuran Muratin, për krijimin e kësaj situate.
Nga ana tjetër, Murati ka deklaruar se përgjegjësia bie mbi pushtetin komunal, i cili – sipas tij – ka vonuar miratimin e buxhetit në Asamblenë komunale, si dhe te partitë opozitare që nuk po e mbështesin formimin e komisioneve parlamentare, të nevojshme për ta proceduar çështjen në Kuvend./lajmi.net/