​Trashëgimia kulturore, çfarë është bërë deri tani dhe çfarë sugjerojnë ekspertët

Trashëgimia kulturore po rrezikohet nga ndërtimet dhe është e pamundur të gjenerojë mjete të mjaftueshme për ta mirëmbajtur veten. Kështu thonë ekspertët të cilët rekomandojnë që monumentet të jepen në shfrytëzim në një partneritet publiko-privat. Kosova momentalisht ka afër 1900 monumente, nga të cilat 93 në listën për mbrojtje të përhershme. Megjithatë, të gjithë, sidomos…

Lajme

16/11/2025 16:08

Trashëgimia kulturore po rrezikohet nga ndërtimet dhe është e pamundur të gjenerojë mjete të mjaftueshme për ta mirëmbajtur veten. Kështu thonë ekspertët të cilët rekomandojnë që monumentet të jepen në shfrytëzim në një partneritet publiko-privat.

Kosova momentalisht ka afër 1900 monumente, nga të cilat 93 në listën për mbrojtje të përhershme. Megjithatë, të gjithë, sidomos shkollat duhet ta kenë në plan program për t’i vizituar këto monumente, pasi rinisë po ia humbim një vetëdije të madhe mbi trashëgiminë kulturore.

Historiani Emin Sallahu, njëkohësisht punonjës i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, thekson se sfida kryesore e ruajtjes së trashëgimisë kulturore është ndërtimi i madh.

“Sfidat kryesore jo vetëm të Kosovës por të gjithë botës por sidomos të Kosovës janë ndërtimi i madh, invazioni i madh urbanistik me shumë mjedise i rrezikon monumentet duke pasur parasysh se ato kanë nevojë ta kenë autonominë e vet ose perimetrin e vet në zonën ku gravitojnë dhe ku gjinden e shpeshherë edhe ndërtimet të cilat janë ndërtimet e infrastrukturës për shembull rrugët dhe infrastruktura tjetër e cila edhe në momente të caktuara rrezikon, pastaj mundësia e kufizuar e investimeve nëpër objekte në një formë apo tjetër e dëmton procesin e ruajtjes së monumenteve”, tha ai

Përveç kësaj, ai tha se në kohën moderne është e pamundur që monumentet të gjenerojnë mjete të mjaftueshme për të mirëmbajtur veten.

“Si trend botëror, më herët monumentet kanë pasur autonominë e vet, e kanë edhe sot por atëherë kanë qenë në përkujdesje shtetërore dhe në momente të caktuara kanë sjellë edhe mjete financiare, mirëpo në kohën moderne, sot është e pamundur që monumenti të gjenerojë mjete të mjaftueshme që ta mirëmbajë veten. Kjo vjen si trend i përgjithshëm gjithandej është se monumentet edhe jepen në shfrytëzim në një partneritet publiko-privat, do të thotë institucionet të cilat i kanë nën përkujdesje i vendosin standardet që duhet të respektohen e në momente të caktuara disa nga objektet mund të shndërrohen në një pikë gastronome, vizitave turistike të cilat futen në guidën turistike dhe si të tilla gjenerojnë mjete nga vizitorët. E kjo si trend i përgjithshëm te ne nuk ka arritur ta mbërrijë atë standard të pëlqyeshëm”, tha Sallahu.

Profesori i Departamentit të Antropologjisë, Ilir Culaj, i cili njëkohësisht punon në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, tha se trashëgimia kulturore është jashtëzakonisht e rëndësishme, raporton KP.

“Besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse popujt kërkojnë rrënjët e veta gjithmonë dhe rrënjët e veta nënkuptojnë kulturën, traditat, zakonet e tyre, pra kur flasim për trashëgiminë kulturore, ne nuk flasim vetëm për një aspekt të një popullate por për disa aspekte, pra këto aspekte, këto shtresime kulturore kanë ndikuar dhe kanë krijuar atë që ne sot e cilësojmë si populli ynë ose popujt tjerë, pra popujt tanë, popujt e sotëm, vlerat e tyre barten dhe lidhen edhe me vlerat e të së kaluarës prandaj, unë mendoj se secili popull dhe revolucionet e mëdha kombëtare e popujve të ndryshëm kur janë bërë, dhe krijimi i popujve dhe shteteve lidhen me historinë e atyre vendeve, duke filluar nga historia e lashtësisë e deri te historia më moderne. Ne e kemi parë se popujt kanë nevojë edhe për heronjtë e tyre, për figurat e tyre kombëtare. Rilindja kombëtare Shqiptare me rikthimin e Skënderbeut në skenë e ka ringjallur atë dëshirën për atë luftë kundër pushtuesve dhe për krijimin e popullit dhe shtetit shqiptar. Të gjithë faktorët lidhen me trashëgiminë, prandaj trashëgimia është e rëndësishme”, tha ai.

Sa i përket trashëgimisë kulturore, ai nënvizon se Kosova ka potencial për të zhvilluar turizmin kulturor.

“Unë mendoj se këto përputhen shumë me njëra-tjetrën dhe në rastin e Kosovës, një nga fushat ku ne mund të lidhim më së miri trashëgiminë kulturore me turizmin është pikërisht turizmi kulturor apo turizmi arkeologjik. Në vitet e fundit në Ulpianë kemi bërë një numër të madh të gërmimeve dhe kemi arritur të shohim lidhjen mes trashëgimisë kulturore, dhe turizmit kulturor dhe turizmit në përgjithësi. Zbulimet e reja kanë ndikuar të kemi numër të madh të turistëve, të cilët vijnë vizitojnë lokalitetet. Unë mendoj që Kosova, institucionet tona kanë hapësirë të punojnë, në kuptimin e asaj që lokalitetet arkeologjike t’i ndërlidhin me guida të ndryshme arkeologjike, me itinerare të ndryshme. Kosova duhet të krijojë më shumë rrëfime mbi këto lokalitete, ka kala gjithandej Kosovës… dhe unë mendoj se kjo mund të ndërlidhet shumë mirë me një lloj turizmi kulturor dhe lokalitetet tona duhet të sigurojnë infrastrukturë më të mirë në mënyrë që të lehtësohet vizita e tyre”, tha Culaj.

Ai tha se është e rëndësishme që kujtesa mbi trashëgiminë kulturore të kultivohet nga mosha e hershme

“Mendoj se kujtesa mbi trashëgiminë kulturore, vetëdija mbi trashëgiminë kulturore ngjizet shumë herët dhe kur kalon një moshë dhe fëmijët tanë nuk kanë kulturë të vizitës në muze, ajo dikur është e pakthyeshme, nuk mund të rikuperojmë këtë gjendje. Nëse në kurrikulat tona shkollore dhe shkollat tona nuk e kanë obliguese që kur të dalin me nxënës në teren t’i vizitojnë parqet arkeologjike, të vizitojnë muzetë, atëherë mendoj se është një dëm i madh që i shkaktohet shoqërisë, sepse jemi duke i humbur rinisë sonë një vetëdije të madhe mbi trashëgiminë kulturore. Secili qytet në Kosovë ka lokalitete arkeologjike, secila shkollë në Kosovë ka resurse dhe mënyra që të vizitojë një lokalitet apo një muze dhe mendoj që kjo lidhje duhet të zhvillohet. Kohët e fundit vërej një ndryshim pozitiv, një pjesë e madhe e shkollave të Kosovës vijnë dhe vizitojnë, flas për Parkun Arkeologjik “Ulpiana” sepse e di më saktë, mirëpo në të kaluarën ka qenë një mangësi e madhe, ka pasur, unë e marrë shpesh si shembull pak banal, i kanë dërguar në ekskursion fëmijët tanë në shkolla fillore të mesme, i kemi dërguar në Gërmi ose Vërmicë për të luajtur me top dhe kjo gjendje nuk guxon të vazhdohet, fëmijët tanë duhet të vizitojnë muze, parqe arkeologjike, kala të ndryshme anembanë Kosovës ku edhe kalojnë një ditë në teren mirëpo edhe mësojnë diçka”, tha ai.

Nora Arapi, këshilltare e lartë në Ministri të Kulturës, tregoi se në Kosovë momentalisht janë afër 1900 monumente, nga të cilat 93 në listën për mbrojtje të përhershme.

“Në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme dhe të përhershme total ka afro 1900 monumente që i përkasin kategorisë trashëgimi arkeologjike, arkitekturore, e luajtshme dhe shpirtërore. Të gjitha këto janë të shpërndara në zona të ndryshme të Kosovës urbane dhe rurale…Ligji i trashëgimisë kulturore i ndan dy nivele të mbrojtjes, lista e trashëgimisë në mbrojtje të përkohshme, e cila ripërtërihet për çdo vit dhe për çdo vit shtohen monumente të tjera, të cilat janë regjistruar gjatë vitit si rezultat i punës së institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe ne kemi punuar nga viti 2021 me një dinamikë të madhe në mënyrë që të rritet numri i monumenteve që janë në listën e trashëgimisë kulturore të përhershme, pra nga lista e përkohshme për të kaluar në listën e përhershme, ministria propozon tek Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe aktualisht në listën e mbrojtjes së përhershme janë 93 monumente”, tha ajo.

Ajo tha se Ministria e Kulturës ka objektiv kryesor mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke përmendur projektet dhe investimet e deri tanishme që kjo ministri ka kryer në këtë aspekt.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore si objektiv kryesor e ka ruajtjen e identitetit dhe të kaluarës sonë për ditët e sotme por edhe për gjeneratat e ardhshme. Në anën tjetër, vetëm ruajtja si e tillë nuk është e mjaftueshme pra synimi është që monumentet që po restaurohen të jenë të hapur dhe të shfrytëzueshme nga komuniteti dhe në një mënyrë te kemi fitime nga potenciali shumë i pasur kulturor që e ka Kosova dhe disa nga projektet madhore të cilat kanë shkuar përtej restaurimit fizik të aseteve e që e kanë zhvilluar edhe dimensionin e promovimit dhe të zhvillimit të zonave, mund të përmend rijetësimin e qytetit të Janjevës, ku kemi investuar në restaurimin e 14 shtëpive tradicionale… Arkeologjia është një nga fushat kryesore ku Ministria e Kulturës për herë të parë ka realizuar shpronësimin e dy lokaliteteve shumë të rëndësishme arkeologjike, të Dresnikut dhe të Ulpianës”, tha ajo.

Në fund, ajo tha se ministria ka shkuar duke rritur gradualisht buxhetin, gjë që sipas saj, dëshmon se dikasteri në të cilën ajo punon, bën shumë për trashëgiminë kulturore.

“Buxhetin gradualisht e kemi rritur. Buxheti aktual i këtij viti është 15 milionë, vitin e kaluar ka qenë 12 milionë, më herët ka qenë 10 milionë, do të thotë, trashëgimia kulturore është trajtuar me një prioritet në nivel shtetëror. Dëshmi për këtë besoj kanë qenë edhe investimet e shumta dhe projektet e shumta që janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër e të cilat ne i publikojmë dhe i promovojmë dita-ditës”, tha ajo.