Gucati thirrje Asamblesë së Këshillit të Evropës: Kërko falje ndaj shqiptarëve, ndaj Thaçit, Krasniqit, Selimit e Veselit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka udhëhequr sot një protestë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku ka kërkuar rishqyrtimin e raportit të Dick Marty-t dhe të rezolutës së miratuar mbi bazën e tij. Ai e cilësoi raportin të padrejtë dhe me synim njollosjen e Ushtrisë…
Lajme
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka udhëhequr sot një protestë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku ka kërkuar rishqyrtimin e raportit të Dick Marty-t dhe të rezolutës së miratuar mbi bazën e tij. Ai e cilësoi raportin të padrejtë dhe me synim njollosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot kemi ardhur të protestojmë pikërisht para këtij institucioni, ku u miratua një rezolutë e padrejtë ndaj shqiptarëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga një njeri i çmendur,” tha Gucati, duke shtuar se veteranët kanë dorëzuar letra për secilin anëtar të Asamblesë me kërkesën që rezoluta të rishikohet dhe të hiqet nga qarkullimi, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se raporti i Marty-t ka pasur për qëllim “ta njollosë UÇK-në”, ndërsa theksoi se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë forcë çlirimtare dhe jo organizatë kriminale”.
Gucati kritikoi në mënyrë të ashpër edhe Dhomat e Specializuara në Hagë, duke i akuzuar për përdorimin e “dëshmitarëve të fabrikuar” dhe për devijim nga misioni i drejtësisë. “Unë jam dëshmitar i gjallë se ajo gjykatë është ngritur kundër nesh dhe kundër kombit shqiptar,” u shpreh ai, duke argumentuar se dënimet e ish-krerëve të UÇK-së godasin të gjithë shqiptarët.
Në vijim, ai i bëri thirrje Asamblesë së Këshillit të Evropës që të korrigjojë atë që e quajti “gabim historik” dhe të kërkojë falje. “Kërko falje ndaj shqiptarëve, ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit. Kërko falje para kombit shqiptar,” deklaroi Gucati.
Protesta, e cila filloi në orën 13:00, përfundoi me dorëzimin e 285 letrave drejtuar secilit anëtar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës./lajmi.net/