Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, avokati: Vitin e ardhshëm do kemi një vendim

Mbi 6 mijë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet të marrin pjesë këtë të dielë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Avokati Ardian Bajraktari, në një intervistë për Klan News, theksoi se kjo protestë synon të shprehë pakënaqësinë…

Lajme

16/11/2025 12:52

Mbi 6 mijë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet të marrin pjesë këtë të dielë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Avokati Ardian Bajraktari, në një intervistë për Klan News, theksoi se kjo protestë synon të shprehë pakënaqësinë për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili sipas tij po zhvillohet në mënyrë të padrejtë dhe të stërzgjatur.

“Kjo është në vazhdën e angazhimeve që ka organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në drejtim të kundërshtimit, shpërfaqjes së pakënaqësisë në raport me procesin gjyqësor në Hagë, i cili tash e ca kohë po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta mbahet në vendin ku, siç e ka thënë edhe organizata e veteranëve, buron ky proces i padrejtë, i stërgjatur; është rezoluta parlamentare e KiE-së e janarit të vitit 2011, që e miratoi raportin e Dick Marty-t, që njihej me pretendimet mbi çështjen e trafikimit të organeve, çështje që as nuk arriti të përfshihej në aktakuzën në të cilën janë të përfshirë ish-krerët e UÇK-së. Protestat janë shprehje e kësaj pakënaqësie. Opinioni mbarëkombëtar gjithnjë e më shumë është i bindur se ky proces është i padrejtë, i stërzgjatur dhe me shkelje të shumta.”,
 tha Bajraktari.

“Fundi i procesit po vjen, vitin e ardhshëm do jemi triumfues”

Megjithatë avokati shprehu optimizmin se procesi gjyqësor do të ketë një epilog (zgjidhje) optimist për ish-krerët e UÇK-së dhe se vendimi pritet të nxirret brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm.

“Unë jam optimist. Po flas mbi bazën e asaj që kemi parë. Natyrisht, një nga mangësitë jashtëzakonisht të mëdha të procesit është mungesa e transparencës, me theks të veçantë përsa i përket asaj që ka propozuar prokuroria, mirëpo dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme. Dëshmitarë okularë. Dëshmia e dëshmitarit është një provë në procedurën penale, por në rastin konkret deklasifikimi i një sërë dokumentesh nga ana e DASH-it ka kontribuar në një masë të konsiderueshme të së vërtetës, për faktin se nuk janë arritur të argumentohen pretendimet kryesore përsa i përket çështjes së ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe zinxhirit komandues, çka natyrisht, në bindjen time, në rast se ka drejtësi, fundi i procesit po vjen. Besoj do të jetë pjesa e parë e vitit të ardhshëm, ku do të mund ta kemi epilogun të paktën në shkallë të parë. Unë besoj se do të jemi triumfues.”, tha ai.

Bajraktari theksoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së emigrantëve në protestë.

“Shpresoj që të jetë një protestë dinjitoze, me prezencë sa më të madhe të mërgimtarëve. Thaçi dhe të tjerët nuk akuzohen në kapacitete personale, por si ish-krerë të UÇK-së. Prandaj, pjesëmarrja e madhe e bashkëatdhetarëve tanë është në funksion të drejtësisë”, tha ai.

Protesta në Strasburg vjen pas protestave të ngjashme që janë mbajtur më parë në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa një tjetër protestë është paralajmëruar të zhvillohet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Më 5 nëntor u shënua 5-vjetori i arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nisi në vitin 2023 dhe po vazhdon ende.