Kryesindikalistja Imeri: Shëndetësia në gjendjen më të rëndë që nga paslufta, emergjenca pa staf – mungojnë anesteziologët
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri, ka thënë se gjendja në sistemin shëndetësor të vendit është përkeqësuar ndjeshëm, duke e cilësuar si më të rëndën ndër vite. Ajo në një prononcim për FrontOnline ka thënë se sektori më i goditur është Emergjenca, ku mungon stafi shëndetësor, sidomos anesteziologët, të cilët, sipas…
Lajme
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri, ka thënë se gjendja në sistemin shëndetësor të vendit është përkeqësuar ndjeshëm, duke e cilësuar si më të rëndën ndër vite.
Ajo në një prononcim për FrontOnline ka thënë se sektori më i goditur është Emergjenca, ku mungon stafi shëndetësor, sidomos anesteziologët, të cilët, sipas saj, kanë qenë përherë të paktë.
“Emergjenca ka më shumë mungesë sa i përket stafit shëndetësor. Është profesion më i vështirë dhe përherë ka mungesë. Anesteziologë ka më shumë mungesë, kjo dihet që sa kohë’’, ka thënë Imeri.
Sipas saj, në sektorin e radiologjisë nuk ka mungesë të mjekëve radiologë, por mund të ketë mungesë të infermierëve.
“Në radiologji nuk ka mungesë të radiologëve, mirëpo mund të ketë mungesë të infermierëve në këtë repart’’, ka shtuar Imeri.
Ajo ka folur edhe për arsyet e largimit të mjekëve dhe infermierëve nga Kosova, duke theksuar se pagat nuk janë arsyeja e vetme.
“Ne jo një herë, por disa herë kemi biseduar se arsyet pse mjekët dhe infermierët e lënë Kosovën nuk janë vetëm pagat. Ka arsye të shumta. Kushtet e punës nuk janë fare të mira, mungojnë trajnimet e vazhdueshme nga ana e menaxhmentit, ndodhin diskriminime, u jepet mundësi atyre që kanë lidhje me udhëheqjen’’, ka thënë Imeri.
Tevide Imeri shtoi se, megjithëse pagat jashtë vendit janë më të mira, shumë profesionistë po largohen edhe për shkak të keqpërdorimeve në proceset e punësimit.
“Normalisht që pagat janë më të mira në vendet tjera, kjo është një arsye pse dalin jashtë. Por ka edhe ata që nuk i vjen radha të punojnë për shkak të keqpërdorimeve në rekrutime’’, ka sqaruar ajo.
Imeri ka folur duke folur për menaxhimin e sektorit shëndetësor, ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj Qeverisë aktuale, duke thënë se situata në spitale është alarmante.
“Me këtë qeveri nuk kemi qenë të kënaqur as sa kanë qenë duke qeverisur, e lëre më tani që janë në detyrë. Çdo ditë ka mungesa të materialeve bazike jetësore në QKUK’’, ka theksuar ajo.
Sipas Imerit, pacientët janë të detyruar të blejnë vetë materiale që duhet të sigurohen nga institucionet publike.
“Ka shumë ankesa të pacientëve, ka mungesë të materialeve bazë, siç janë penjtë kirurgjikalë. Në shumë klinika nuk ka fare materiale shëndetësore dhe pacientët detyrohen t’i blejnë vetë’’, ka thënë Imeri.
Në fund, Imeri ka përfunduar se shëndetësia kosovare gjendet në krizën më të rëndë të pasluftës dhe se pa funksionimin e institucioneve shtetërore, nuk mund të pritet asnjë përmirësim.
“Shëndetësia mendoj se është në gjendjen më të keqe të shumë viteve. Kjo lidhet me mungesën e institucioneve. Nëse do të ishin formuar, mendoj që situata do të ishte rregulluar sado pak’’, ka thënë ajo.