Shqipëri–Angli, sonte në “Air Albania”: Kuqezinjtë kërkojnë mbyllje dinjitoze ndaj kryesuesve të grupit

Sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K për kualifikueset e Botës 2026. Anglia vjen në këtë sfidë si kryesuese e grupit me 21 pikë dhe e kualifikuar tashmë direkt për Botëror, ndërsa Shqipëria renditet e dyta me 14 pikë, katër…

Sport

16/11/2025 08:11

Sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K për kualifikueset e Botës 2026.

Anglia vjen në këtë sfidë si kryesuese e grupit me 21 pikë dhe e kualifikuar tashmë direkt për Botëror, ndërsa Shqipëria renditet e dyta me 14 pikë, katër më shumë se Serbia e vendit të tretë, e cila është eliminuar. Për kuqezinjtë, ky takim shërben si test i rëndësishëm para fazës së play-off-it, transmeton lajmi.net.

Historiku i përballjeve flet qartësisht për anglezët, që kanë fituar të 7 ndeshjet e luajtura deri më tani ndaj Shqipërisë, me golavarazh të përgjithshëm 21-1. Megjithatë, kombëtarja shqiptare është në një formë të shkëlqyer, me pesë fitore radhazi dhe tetë ndeshje pa humbje, që prej disfates së fundit pikërisht ndaj Anglisë në mars. Skuadra e Sylvinhos ka shënuar 8 gola dhe ka pësuar vetëm 2 në pesë ndeshjet e fundit, duke treguar stabilitet dhe rritje të dukshme.

Takimin pritet ta drejtojë arbitri italian Marco Guida, i asistuar nga Giorgio Peretti dhe Alessio Berti, ndërsa Simone Sozza do të jetë gjyqtari i katërt. Për VAR-in do të kujdeset Marco Di Bello, i ndihmuar nga Valerio Marini.

Të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur, dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur plot nga tifozët shqiptarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Festimet pritet të nisin që para ndeshjes dhe të vazhdojnë pas saj, nëse Shqipëria arrin të mbyllë me sukses këtë fazë historike të kualifikimeve.

Për sigurinë, janë marrë masa të shtuara nga autoritetet dhe organizatorët, përfshirë kontrolle të imtësishme në hyrje, struktura orientuese për tifozët dhe konfiskimin e sendeve të ndaluara. Fëmijët pa biletë nuk do të lejohen të hyjnë, dhe çdo biletë e falsifikuar do të bllokohet. Portat hapen tre orë para ndeshjes, ndërsa tifozët këshillohen të mbërrijnë herët për të shmangur radhët dhe vonesat.

Takimi i sotëm pritet të sjellë emocion të madh, teksa Shqipëria kërkon të sfidojë traditën dhe të përmbyllë një kapitull ku ka treguar ndryshim të madh në lojë dhe rezultate./lajmi.net/