Enver Hoxhaj i bën ftesë publike Bedri Hamzës për debat: Hajde, ta vendosim një standard të ri
Ish-kryediplomati, një nga politikanët më aktiv në vend, tash kandidat për kryetar të PDK-së Enver Hoxhaj, i ka bërë ftesë të hapur publike për Bedri Hamzës, kandidatit tjetër për kryetar të PDK-së që të përballen në debat televiziv qysh javën e ardhshme. “Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan.…
Lajme
Ish-kryediplomati, një nga politikanët më aktiv në vend, tash kandidat për kryetar të PDK-së Enver Hoxhaj, i ka bërë ftesë të hapur publike për Bedri Hamzës, kandidatit tjetër për kryetar të PDK-së që të përballen në debat televiziv qysh javën e ardhshme.
“Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan. E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë, javën e ardhshme. Hajde, të vendosim një standard të ri,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të trajtohet si proces i vogël, por duhet të trajtohet si ngjarje e madhe politike që ka rëndësi për gjithë Kosovën, sepse sipas tij, e tillë është.
“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së nuk duhet të jetë ngjarje e vogël, duhet të jetë ngjarje e madhe. Është garë e madhe politike në interes të Kosovës,” ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se synon që ky proces të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të shënojë mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri për vendin në vitin 2026.
Ai ka shtuar se një PDK e fortë u shërben edhe të paraburgosurve në Hagë.
“Në pranverë, dua që ata ta shohin një PDK e cila është e fortë,” ka deklaruar Hoxhaj, duke përmendur Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, të premten mbrëma deklaroi se ai është ‘’i vendosur’’ që të garojë për kryetar të PDK-së, duke shtuar se duhet të prezantohet edhe platforma për të ardhmen e kësaj partie.
Zhvillimet politike dhe kriza në vend, janë arsyet pse Enver Hoxhaj po garon për të parin e PDK-së, duke qenë pjesë e kësaj partie që nga themelimi.
Gjatë intervistës në Rubikon, Hoxhaj ka thënë se po të ishte në krye të PDK-së, Kosova nuk do të kishte krizë.
“Po të kisha qenë në krye të PDK-së, bashkë me opozitën, sot do të kishim pasur një Kosovë pa krizë, pa ngërç”, tha Hoxhaj.
Në vititn 2021, pas arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ishte Enver Hoxhaj ai që mori udhëheqësinë e partisë, i Ushtrues Detyre. Ashtu qëndroi derisa përfunduan edhe zgjedhjet nacionale në Kosovë. Ai arriti që në ato zgjedhje, Partinë Demokratike të Kosovës nga renditja në vendin e tretë, ta vendos në vendin e dytë si partia e dytë fituese në nivel nacional.
Për këtë, Hoxhaj foli edhe në intervistë, ku edhe tregoi se ishte dëshirë e ish-kryetarit Veseli që Hoxhaj ta drejtonte partinë, meqë ky ishte një ndër personat që kishte pas rrol të rëndësishëm në shtetndërtim, duke filluar nga negociatat në Vjenë, në vititn 2007, për statutin e Kosovës, nga ku erdhi edhe pavarësia e vendit.
“2021-ta ka qenë një situatë krejt tjetër politike. Atë vit unë kam marrë udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës, kur askush tjetër nuk e ka marrë. Ka qenë insistim i zotëri Kadri Veselit që unë ta udhëheq PDK-në, ka qenë një farë amaneti moral i tij në atë kohë, si dikush që nga viti 1997 e njeh Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, i cili i ka pasur edhe shokë të studimeve në Prishtinë, Austri dhe Zvicër”.
“Në një natë dramatike, kur ne e kuptuam se Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha mund të arrestoheshin, nuk kishte një atmosferë për të diskutuar se si do të dukeshin vendimmarrjet e PDK-së. Në atë kohë, unë në fakt e kam mbrojtur, e kam ruajtur dhe e kam unifikuar PDK-në, në një kohë të një tronditjeje historike që i ka ndodhur PDK-së dhe Kosovës, e cila si tronditje historike u reflektua edhe në votën elektorale”, tha Hoxhaj.
Ai, gjithashtu tha se pranimi i drejtimit të PDK-së në atë kohë ishte një amanet moral i Veselit për të.
Kritikat e Enver Hoxhajt, ishin edhe ndaj organizimit të Konventës për zghedhjen e kryetarit të PDK-së e cila pritet të mbahet të hënën, pasi sipas tij, po lejohet që të mos ketë garë dhe po mbështetet një preferencë e një rrethi të ngushtë që sipas tij përbëhet nga 4-5 persona, në parti.
“Kushdo që garon në PDK, mos ta ketë vetëm mbështetjen e një grupi të ngushtë të PDK-së, të 4-5 njerëzve.”
Hoxhaj tha se konventa e thirrur është improvizim.
“Procesi nuk është serioz dhe nuk ka proces as politik as demokratik. Konventa, në formën se si është menduar të mbahet, është një improvizim, skenë, intrigë politike e cila në fakt tregon se ish-kryetari i PDK-së do të duhej ta përgatisë procesin dhe ta pjekë debatin politik, të merren vendime se kur mund të mbahet konventa e PDK-së, a ka kandidatë të tjerë që mund të garojnë për postin e kryetarit”, ka thënë Hoxhaj.
Ai theksoi se partia ka nevojë për hapje dhe përfaqësim më të gjerë.
Duke qenë një ndër akterët kryesor të Kosovës në sferën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, jo vetëm sa ishte ministër i jashtëm por edhe pas kësaj pozite, Enver Hoxhaj u ndal edhe te kjo temë – politika e jashtme – të cilën e quajti temën kryesore me të cilën përballet Kosova.
Hoxhaj theksoi se një qeveri e ardhshme duhet ta ketë të garantuar dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë si shtyllë kyçe të politikës së Kosovës.
Sipas tij, politika e jashtme e vendit nis me mbrojtje, siguri, siguri energjetike dhe me mënyrën se si pozicionohet faktori shqiptar në rajon.
Ai theksoi se dikush që synon ta udhëheqë Kosovën dhe të ketë raport serioz me Evropën e SHBA-në, përfshirë administratën Trump, nuk mund të jetë i paaftë të komunikojë me partitë politike brenda vendit.
“Nëse dikush pretendon ta udhëheqë vendin, të mbajë raport me botën, me Evropën e me Trump, dhe të mos jesh në gjendje të bësh dialog me partitë politike në vendin tënd, të mos jesh në gjendje të bësh kompromis për ta zgjidhur krizën dhe të mos vijmë në këtë situatë.”
Enver Hoxhaj, ka qenë dy mandate ministër i jashtëm, për 8 dite, dhe gjatë asaj kohe ka arritur që Kosovës t’i sjell qindra njohje, duke u bërë ministri që ka sjellë më së shumti njohje dhe përfaqësim ndërkombëtar të Kosovës. Natyrisht, që kontaktet që ai mbanë me politikanë e liderë nga Evropa e SHBA-ja, dhe jo vetëm, janë aset i tij.
Në intervistën e mbrëmshme, ai tregoi se, javën e ardhshme në Kosovë për vizitë do të vijë ministri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, të cilin tha se e njeh që më shumë se 20 vjet.
“Johann Wadephul, e njoh që 20 vjet dhe mbaj kontakt me të këtu me telefon. Ai ka agjendë të takojë sigurisht kryeministrin meqë është në vizitë zyrtare, por unë do ta kisha takuar nëse do të isha në udhëheqje të partisë që është në opozitë, dhe do të kisha kërkuar mbështetjen e tij për Kosovën në planin ndërkombëtar”, tha Hoxhaj
Ai shtoi se, po të ishte vetë në krye të PDK-së, situata politike nuk do të kishte degraduar në këtë pikë.
“Nëse do të isha deri tash unë kryetar i PDK-së, nuk do të ishte situata këtu ku është tani.”
Mëngjesin e të premtës, Enver Hoxhaj ka kërkuar që Konventa e PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të partisë të shtyhet, duke e quajtur procesin aktual të ngutshëm dhe jo serioz për një vendimmarrje të këtij niveli.
Ai theksoi se një parti serioze nuk mund të zhvillojë një konventë politike dhe përmbajtësore në kaq pak kohë, ndërsa kërkoi nga Kryesia e PDK-së që Konventa të shtyhet të paktën deri të dielën e ardhshme.
“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai ka thënë gjithashtu se qartësisht është kundër çdo imponimi, “kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët.”
Hoxhaj e mbyll reagimin duke thënë se ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë në parti.