Hill për James Rubin: Ai ishte në favor të Thaçit që të bëhej udhëheqës i Kosovës
Ish-diplomati amerikan Christopher Hill u pyet në Hagë lidhur me një deklaratë për James Rubinin dhe qasjen që ky i fundit kishte ndaj Hashim Thaçit gjatë kohës së Marrëveshjes së Rambujesë. Dëshmitari kishte thënë për James Rubinin se kaq larg shkoi në diskutimet e veta sa rekomandoi edhe kostumin edhe kravatën që duhej të mbante…
Lajme
Ish-diplomati amerikan Christopher Hill u pyet në Hagë lidhur me një deklaratë për James Rubinin dhe qasjen që ky i fundit kishte ndaj Hashim Thaçit gjatë kohës së Marrëveshjes së Rambujesë.
Dëshmitari kishte thënë për James Rubinin se kaq larg shkoi në diskutimet e veta sa rekomandoi edhe kostumin edhe kravatën që duhej të mbante Thaçi.
“Kjo është në përputhje me mendimin tim që ai ishte në favor të Thaçit që të bëhej udhëheqës i Kosovës”, tha Hill.
Në anën tjetër, dëshmitari tha se Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje dhe dëshironin që njëri prej tyre të nënshkruante Marrëveshjen.
“Thaçi dhe Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje, prandaj ka qenë e rëndësishme për ne, që të nënshkruhej prej tyre”, tha Hill ndër tjerash.
Dëshmitari foli edhe për një takim në mars të 1999-ës. Ai pohoi se në këtë takim ishte Sokol Bashota, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja ku është diskutuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë.
Avokati Luka Mishetiq i cili përfaqëson Hashim Thaçin njoftoi se për momentin mendojnë se nuk do të kenë pyetje plotësuese për këtë dëshmitar.
Ndryshe, në fillim sesioni i pasdites u zhvillua në sesion privat. Kurse, kur u hap seanca, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do të merret vendim nesër për ato çka u diskutuan në seancë private.