U tha se Sveçla urdhëroi IPK-në t’i hetojë policët që intervenuan mbrëmë në QKN-Mitrovicë, Inspektorati thotë se po ndërmerren masa
Në jug të Mitrovicës mbrëmë ndaloi numërimi i votave nga balotazhi i së dielës. E gjithë kjo pasi koordinatorët raportuan disa raste të fletëvotimeve me numra të ndryshëm serik dhe mospërputhje të numrave se ku ishte votuar me ato ku gjendeshin fletëvotimet. E pas kësaj aty ndërhy edhe Policia dhe Prokuroria, për t’u marrë më…
Lajme
Në jug të Mitrovicës mbrëmë ndaloi numërimi i votave nga balotazhi i së dielës.
E gjithë kjo pasi koordinatorët raportuan disa raste të fletëvotimeve me numra të ndryshëm serik dhe mospërputhje të numrave se ku ishte votuar me ato ku gjendeshin fletëvotimet.
E pas kësaj aty ndërhy edhe Policia dhe Prokuroria, për t’u marrë më afër me hetimet në rast.
Por dikush u ankua në Inspektorat Policor të Kosovës, e sic u raportua në media ishte pikërisht ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Për këtë çështje, sot Inspektorati njoftoi se nga veprimet fillestare dyshohet se disa policë kanë reaguar dhe kanë hyrë në QKN duke mos përfillur disa nga procedurat e parapara me planin operativ të policisë për këtë proces zgjedhor, raporton lajmi.net.
“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar një ankesë dhe informacione dje në orët e mbrëmjes lidhur me reagimin policor në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) të votave në Mitrovicën e Jugut.Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime paraprake hetimore për të verifikuar pretendimet se zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore në QKN pa autorizimin e prokurorit kompetent.Veprimet janë ndërmarrë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së duke pasur parasysh edhe aspektin e pavarësisë operacionale të policisë.Bazuar në veprimet fillestare hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se nga zyrtarët policorë që kanë reaguar dhe kanë hyrë në QKN nuk janë përfillur disa nga procedurat e parapara me Planin Operativ të PK-së të përgatitur për këtë proces zgjedhor”,thuhet në reagim.
Tutje u tha se IPK do të ndërmarr edhe veprime të tjera në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë e Shtetit duke përfshirë edhe konsultat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Pavarësisht kësaj, IPK nuk informoi në detaj se si u urdhërua hetimi ndaj këtyre policëve që në fakt kërkuan prokurorinë që të më pas te hetonte gjithë situatën e krijuar në qendrën e numërimit.
Kurse deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, është deklaruar direkt në Pressing në T7 lidhur me ndërprerjen e numërimit të votave në Mitrovicë dhe lidhur me këtë proces ai tha se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me urdhër të Sveçlës ka shkuar në Mitrovicë për t’i intervistuar hetuesit dhe policët e Forenzikës.
Qalaj pohoi se IPK po tejkalon autorizimet e tij.
“Është shumë shqetësuese që IPK nën urdhërin direkt të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Mitrovicë për të intervistuar hetuesit dhe policët e Forenzikës të cilët janë duke dokumentuar me fakte të gjitha shkeljet që janë duke ndodhë në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë”, tha Qalaj në Pressing./Lajmi.net/