“Ndërmarrje kriminale, e organizuar nga një parti” – Krasniqi i VV-së “bajraktari” i propagandës, sulmon kryeprokurorin që po merret me rastin në Mitrovicë

Burri i Albulena Haxhiut, njëkohësisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi ka vazhduar me gjuhë propaganduese e akuzuese ndaj u.d të kryeprokurorit të rastit në Mitrovicë, Njazi Rexha, PDK-së dhe mediave. Krasniqi i mbushur me mllef, duket se nuk po i pëlqen fakti që po hetohen dyshimet për manipulim të votave, transmeton lajmi.net.…

Lajme

11/11/2025 12:58

Burri i Albulena Haxhiut, njëkohësisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi ka vazhduar me gjuhë propaganduese e akuzuese ndaj u.d të kryeprokurorit të rastit në Mitrovicë, Njazi Rexha, PDK-së dhe mediave.

Krasniqi i mbushur me mllef, duket se nuk po i pëlqen fakti që po hetohen dyshimet për manipulim të votave, transmeton lajmi.net.

I njohur për gjuhën e tij skandaloze e akuzuese, Krasniqi gjithçka që po ndodh në Mitrovicë të Jugut e ka quajtur ndërmarrje kriminale, i organizuar nga një parti politike, duke aluduar tek PDK-ja.

Pa përmend asnjë fakt, por vetëm me fjalë, Krasniqi i sulet edhe mediave duke thënë se janë pjesë e luftës hibride.

Postimi i plotë:

E vërteta me fakte
Vullneti qytetar, vota e lirë dhe integriteti i zgjedhjeve nuk mund të shkelen dot nga askush
Mbrëmë isha dëshmitar i një ndërmarrje të organizuar kriminale nga një parti, e ndihmuar nga të tjerat, që orkestronte bashkë me antarët e saj në KQZ, me hetues që pa asnjë autorizim ligjor nga prokurori bllokuan numërimin dhe futën duart në materiale zgjedhore, me ud kryeprokurorin Njazi Rexha (burri i asamblistes së PDK-së Nafije Rexha) i cili së bashku me një grup individësh të paidentifikuar kishte urdhëruar kundërligjshëm largimin e prokurorit kujdestar të rastit pa asnjë koordinim me Zyrën e Kryeprokurorit dhe koordinatoren nacionale për zgjedhje, duke tentuar ta mbajnë peng procesin e numërimit, ta shkelin vullnetin e lire qytetarë dhe ta cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
Në komunikim të shkurtër me z. Njazi Rexha në prezencë të stafit të QKN-së, të sekretariatit të KQZ-së dhe të individëve që ishin me të e që refuzonin të prezantoheshin, ai konfirmoi që e kishte larguar nga rasti prokurorin e rastit sepse mbiemrin e ka të njëjtë me kryetarin tashmë të zgjedhur të Mitrovicës, pa shpjeguar se mbi çfarë baze ligjore ka vepruar dhe duke konfirmuar që veprimin e ka marrë krye në vete dhe gjithashtu, duke konfirmuar pas pyetjes sime nëse është burri i anëtares së Kuvendi Komunal të Mitrovicës nga radhët e PDK-së, asamblistes Nafije Rexha. Të njëjtit ia bëra të qartë se kjo ndërhyrje arbitrare në proces përbën shkelje të legjislacionit nga ana e tij dhe që gjendet në konflikt interesi dhe që me veprimet e tij po dëmton integritetin e procesit zgjedhor. I njëjti gjatë tërë kohës ishte në komunikim me anëtarin e KQZ-së nga PDK i cili ishte aty shumë kohë më pare por që mediat e luftës hibride nuk e bënë kurrë publik këtë fakt.
Z. Rexha për më tepër edhe pas njoftimit nga zyra e kryeprokurorit te shtetit qe do të lirohet nga rasti ka vazhduar të trajtoj kundërligjshëm rastin sa që në mesnate dërgon urdhër për ndërprerjen e procesit të numërimit, duke injoruar deklaratën dhe njoftimin sqarues të KQZ-së dhe të ekspertëve të këtij institucioni.
Se kjo ishte një ndërmarrje kriminale flet fakti që një pjesë e mediave dhe analistëve që janë të njohur për dezinformim publik, në përpjekjen e tyre në kuadër të luftës hibride kontribuuan në mënyrë të koordinuar me akterët e lartcekur për të dezinformuar, për ta marrë peng dhe vrarë vullnetin e lirë qytetar, për të nxitur konflikt qytetar.
Është mese urgjente që institucionet kompetente të ndërmarrin veprimet e menjëhershme ndaj zyrtarëve të lartcekur institucional të përfshirë në veprimet e tilla antiligjore dhe me prapavijë të qartë politike që kontribuuan me vetëdije dhe planifikim në kryerjen e dyshuar të veprave penale që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, falsifikimin e rezultateve të votimit dhe cenimin e rendit kushtetues.
PS: Tashmë ka arritur konfirmimi dhe sqarimi edhe nga kompania që ka shtypur fletëvotimet dhe së shpejti do të bëhet publike./lajmi.net/