“Kaq për moralin politik të saj, mjerim” – Hoti e kritikon rëndë Presidenten Osmani
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar ashpër të parën e vendit, Vjosa Osmanin. Kjo e fundit në një prononcim për media ka folur në lidhje me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvend, si çështja e RTK-së, buxhetit të shtetit etj., transmeton lajmi.net. Osmani tha se këto…
Lajme
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar ashpër të parën e vendit, Vjosa Osmanin.
Kjo e fundit në një prononcim për media ka folur në lidhje me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvend, si çështja e RTK-së, buxhetit të shtetit etj., transmeton lajmi.net.
Osmani tha se këto çështje i ka ngritur në takim me liderët e partive politike, por sipas saj, që ajo të veproj, duhet të ketë vullnet politikë.
Hoti këto deklarime të saj i ka parë me keqardhje. Ai tha se Osmani po i fton mediat që të bëjnë presion tek partitë politike.
“Kaq për moralin politik të saj. Mjerim.”, tha Hoti ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Deklarimi i sotëm i të parës së shtetit lidhur me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës është për keqardhje. Ajo e di se për tu shqyrtuar ato çështje në Kuvendin e Kosovës duhet detyrimisht të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Duke qenë se e di këtë, që është e kuptueshme për secilin, ajo po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Bile i fton edhe mediat që të bëjnë presion tek partitë politike. Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit.
Në anën tjetër, ajo e ka aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e thotë qartë se anëtarët e qeverisë të betuar si deputetë janë duke mbajtur postet qeveritare në mënyrë joligjore. Për këtë nuk e thotë asnjë fjalë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve.
Kaq për moralin politik të saj. Mjerim./lajmi.net/