Takimi i Holbrook me bujqit në Junik, Hill: Një person në uniformë të UÇK-së doli në fotografi me ne, Millosheviq kur e pa i ndaloi takimet me ambasadorin

Në Gjykatën Speciale në Hagë, po dëshmon sot ish ambasadori amerikan, Christopher Hill. Ai nga prokurori James Pach u pyet për një takim me ambasadorin Holbrook në Junik, për të cilin Hill tha se nuk ishte takim me UÇK-në. “Nuk do të  thosha që ishte takim me UÇK-në por me bujqit që kishin vuajtur ose…

Lajme

11/11/2025 11:37

Në Gjykatën Speciale në Hagë, po dëshmon sot ish ambasadori amerikan, Christopher Hill.

Ai nga prokurori James Pach u pyet për një takim me ambasadorin Holbrook në Junik, për të cilin Hill tha se nuk ishte takim me UÇK-në.

“Nuk do të  thosha që ishte takim me UÇK-në por me bujqit që kishin vuajtur ose kishin pësuar sulmet e serbëve,. Kemi dëgjuar historitë e tyre, kemi vizituar ata deri në momentin që një person me mjekër të madhe të zezë, i veshur me uniformë të UÇK-së erdhi dhe përfitoi nga rasti të bënte një fotografi me ne”, ka thënë Hil.

Ai tha deri në atë moment, nuk kishin pasur takim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të UÇK-së, por disa persona nga ambasada të tjera, përfshirë edhe diplomatë të SHBA-ve dhe anëtarë të shërbimeve inteligjente që kishin interes të gjenin se kush ishte udhëheqja e UÇK-së, të cilët i kanë raportuar Hill për bisedime në takimet e tilla.

Për personin me mjekër të madhe e të zezë e të veshur me uniformë të UÇK-së, ai tha se askush nuk e mori parasysh pasi që askush nuk kishte organizuar takim me të dhe se u bë pjesë e takimit pasi filloi takimi, bëri një fotografi dhe u largua para se të përfundonte.

“Jo nuk kishim organizuar një takim, nuk i kishim kërkuar askujt nga UÇK të merrte pjesë në atë takim. Fotografia e Holbrook ngjitur me atë person, u shfaq gjithandej. Millosheviq i kishte dërguar një njoftim Holbrook që nuk do të takohej më me të për shkak të asaj fotografie, dhe Holbrook me kërkoi mua që të shkoja në Beograd që të qetësoja situatën”, ka thënë Hill.

Ai ka thënë se takimi nuk ishte sekret, pasi kur shkuan në Junik ishin 10-20 automjete me gazetarë që e dinin për ku ishin nisur, ndërsa tha se ky ishte një prej takimeve të para të Holbrookut dhe ishte vetëm një prej disa vizitave të organizuara jashtë Prishtine.

Pach e pyeti se a u takuan me kryetarin e Junikut në shtëpinë e tij.

“Ishte një shtëpi fshati, të gjithë u ulëm në tokë aty. Nuk i di emrat e personave që u ulën afër Holbrook, por kam mësuar se ishin shqiptarët etnik që jetonin në Evropën Perëndimore dhe ishin kthyer në Kosovë”, ka shtuar Hill. /Lajmi.net/