“Intervistuam një person të afërt dhe gjetëm veturën”- Prokuroria jep detaje 11 ditë pasi Vukashinoviq u plagos dhe u rrëmbye nga Kosova

Milan Vukashinoviq është serbi i cili u plagos dhe u rrëmbye nga territori i Kosovës 10 ditë më parë. Për rastin e Vukashinoviq si fillim u deklarua Policia e Kosovës, ku ndër të tjerash bëhej e ditur se dyshohet se xhandarmëria serbe kishte hyrë në territorin e vendit tonë, më saktësisht në Leposaviq apo në…

Lajme

11/11/2025 10:01

Milan Vukashinoviq është serbi i cili u plagos dhe u rrëmbye nga territori i Kosovës 10 ditë më parë.

Për rastin e Vukashinoviq si fillim u deklarua Policia e Kosovës, ku ndër të tjerash bëhej e ditur se dyshohet se xhandarmëria serbe kishte hyrë në territorin e vendit tonë, më saktësisht në Leposaviq apo në njërën anë që njihet si “pika zero” e kufirit, ku viktima është plagosur e më pas u dërgua në spitalin e Nishit në Serbi.

Plagosja e Milan Vukashinoviq, ndodhi vetëm pak muaj pasi ai doli publikisht dhe akuzoi Listën Serbe për ushtrim presioni ndaj atyre që nuk braktisin institucionet e Kosovës.

Detaje mbi gjendjen e tij pati dhënë avokati serb, Ivan Niniq.

Ai deklaroi se meqenëse përgjegjësit në këtë rast po heshtin duhet treguar se ai në fakt ishte në gjendje të rëndë në klinikën e Nishit.

Sipas Niniqit, viktima ka pësuar plumba në shpinë, ndërsa në sulm dyshohet se kanë marrë pjesë persona të veshur me uniforma ushtarake, por pa shenja dalluese, që lëviznin me xhipa pa targa. Ai gjithashtu ka ngritur dyshime se në incident mund të kenë qenë të përfshirë edhe forca të tjera përveç ushtrisë serbe.

“A do të mbetet invalid Milani dhe sa gjak ka humbur gjatë transportit nga Prokuplja në Nish? A është qëlluar Milani nga pas dhe pse? A kishin pjesëtarët e ushtrisë së Serbisë uniforma maskuese pa shenja dalluese? A ka marrë pjesë, përveç ushtrisë, edhe ‘dikush tjetër’ në aksionin e gjuetisë ndaj Milanit? A ishin 3 xhipat në terren pa targa? A është kryer ekspertiza në vendin e ngjarjes, kush e ka kryer dhe kur? Ku është ‘Lada Niva’-ja e Milanit? A menduat se kjo do të fshihej? A mendoni se askush, asnjëherë, nuk do të japë përgjegjësi?”, pati shkruar ai.

Në emër të familjes, avokati ngriti padi kundër anëtarëve të ushtrisë ose policisë serbe, si dhe kundër Milan Radoiçiqit, sepse i plagosuri Vukashinoviq, siç u tha, kishte një histori të gjatë konfliktesh me të.

Madje sipas raportimeve, Radoiçiq kishte tentuar që ta vrasë atë, duke i vënë eksploziv në automjet.

Rasti i ndodhur më 1 nëntor në Kosovë ngriti shqetësimin edhe të autoriteteve kosovare.

Në lidhje me gjithë këtë amulli të krijuar, lajmi.net ka kontaktuar edhe Prokurorinë në Mitrovicë.

Prokuroria me këtë rast bëri të ditur se në lidhje me rastin është intervistuar një person i afërt me viktimën.

Gjithashtu hetuesia ka gjetur edhe veturën e tij.

Sipas Prokurorisë rasti po hetohet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe se për momentin nuk mund të ndahen më tepër informacione.

“Mund të konfirmojmë që është intervistuar një person i afërt me viktimën.Po ashtu është gjetur vetura e viktimës.Rasti është duke u hetuar në koordinim me Policinë e Kosovës.Në këtë fazë këto janë të dhënat që mund ti ndajmë me ju”.

Ngjarja thuhet të ketë ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 16:00, ndërsa familja e të plagosurit shpreh shqetësimin se po bëhen përpjekje për të penguar dhe fshehur provat.

Një ditë pas rastit një reagim publik e pati edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas presidentes Osmani, Serbia çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë.

“Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme.” shkroi Osmani.

Kurse ministri në detyrë, i Punëve të Brendshme Xhelal Svecla pati thënë se Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cenuar hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it.

“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar Sveçla./Lajmi.net/