“Ndërpritet numërimi” Krejt çka ndodhi mbrëmë në jug të Mitrovicës, reagimi i KQZ-së e vendimi i Prokurorisë
Një natë aspak e qetë ishte mbrëmë në Mitrovicën e jugut. Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë është ndërprerë procesi i numërimit të votave, nën dyshimin për manipulim dhe keqpërdorim të votave. Si fillim në këtë komunë u ngritën dyshimet për të njohurën si “treni bullgar”. Zyrtarët e partive politike të cilët ishin duke…
Lajme
Një natë aspak e qetë ishte mbrëmë në Mitrovicën e jugut.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë është ndërprerë procesi i numërimit të votave, nën dyshimin për manipulim dhe keqpërdorim të votave.
Si fillim në këtë komunë u ngritën dyshimet për të njohurën si “treni bullgar”. Zyrtarët e partive politike të cilët ishin duke punuar në këtë vend kanë evidentuar fletëvotime që nuk përkonin me qendrat e votimit ku ndodheshin ato.
Me të vërejtur këto zyrtarët kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës, e të njëjtit më pas Prokurorinë.
Hetuesia nisi menjëherë të evidentonte problemin derisa në vendin e ngjarjes kishte shkuar prokuroi Shpëtim Peci, i cili urdhëroi që procesi të vazhdonte aty ku ka mbetur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, transmeton lajmi.net.
Pas kësaj , zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës bashkë me anëtarët e koalicioni nuk pranuan që të vazhdojnë me procesin e numërimit, pasi sipas tyre ka shumë parregullsi.
E pas kësaj, një reagim pati edhe Komisioni Qendror Zgjedhor.
KQZ-ja deklaroi se fletëvotimet e dyshuara në këtë rast kanë qenë gabim teknik.
“Bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast”, thuhej në reagim.
Por nuk përfundoi me kaq.
Pas hetimeve të para, Prokuroria mbrëmë rreth orës 00:30 njoftoi se ka marrë vendim që të ndaloj numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të jugut.
Sipas Prokurorisë pas raportimeve për parregullsi në disa fletëvotime, urdhërohet që menjëherë të ndërpritet numërimi.
“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, deklaroi Prokuroria.
Në vendin e ngjarjes mbrëmë shkoi edhe Kryeprokurori i Mitrovicës, Nijazi Rexha. Rexha shkoi ai pas prokurorit Peci i cili dha vendim të vazhdonte numërimi dhe u largua.
Peci madje u raportua se është familjar i kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar, Faton Peci.
Kryeprokurori Nijazi Rexha vendosi që pas ngjarjes të largohet nga aty i shoqëruar nga zyrtarët policorë, por pa u deklaruar për media.
E kjo ngjarje dhe vendimi që të ndërpritet numërimi s’i pëlqeu fare u.d së ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Ai shkoi aq larg sa urdhëronte që “menjëherë të niste numërimi”.
Ani pse po kërkohet hetim se çfarë ka ndodhur me fletëvotimet që nuk përkonin me qendrën e votimit, Sallahu doli kundër– ngjashëm si shumë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Prokuroria në Mitrovicë nuk duhet t’i shërbejë propagandës se një subjekti politik që i ka humbur zgjedhjet. Meqë tashmë bëhet fjalë vetëm për gabime teknike të numrave serik në fletëvotime të vërtetuara nga KQZ, e të cilat kanë zero ndikim në integritetin e zgjedhjeve në komunën përkatëse, atëherë, Prokuroria e Mitrovicës duhet menjëherë ta lejojë vazhdimin e numërimit të fletëvotimeve.”/Lajmi.net/