Kurti me VV-në nuk hyn dot në Dukagjin e Drenicë, fitoi shtatë komuna në zgjedhje lokale

Dje, është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për 18 komuna që kanë shkuar në balotazh nga raundi i parë i zgjedhjeve që është mbajtur më 12 tetor. Nga rezultatet e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur t’i shtoj “hartës së fitores” edhe katër komuna, përveç tri sosh që i ka fituar në raundin e…

Lajme

10/11/2025 08:45

Dje, është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për 18 komuna që kanë shkuar në balotazh nga raundi i parë i zgjedhjeve që është mbajtur më 12 tetor.

Nga rezultatet e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur t’i shtoj “hartës së fitores” edhe katër komuna, përveç tri sosh që i ka fituar në raundin e parë.

Për katër vitet e ardhshme, VV do të udhëheq në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun, në Kamenicë me Kadri Rahimajn, në Gjilan me Alban Hysenin, në Mitrovicë me Faton Pecin, në Fushë Kosovë me Valon Prebrezën dhe në Obiliq me Halit Thaçin.

Këtë rezultat të korrur në këto dy raunde të zgjedhjeve lokale, Kurti e ka quajtur dje sukses pasi është fitorja më e madhe e VV-së në zgjedhje lokale.

VV ndonëse i mori 7 komuna, nuk arriti të marrë asnjë të tillë në dy rajone, atë të Dukagjinit dhe të Drenicës.

Në Drenicë, saktësisht në Drenas e Skenderaj, kandidatët e tyre humbën që në raundin e parë. Në Drenas do të vazhdoj të udhëheq Ramiz Lladrovci i cili ka fituar duke kandiduar me partinë e tij, PDKRLl, ndërsa në Skënderaj ka fituar kandidati i PDK-së për kryetar, Sami Lushtaku.

Në rajonin e Dukagjinit, që përfshin Pejë, Istogun, Deçanin, Klinën, Gjakovën, Prizrenin dhe Suharekën, Kurti nuk e ka fituar asnjë komunë, shkruan lajmi.net.

Në Pejë, dje ka fituar kandidati i LDK-së për kryetar, Gazmend Muhaxheri me 61,15% duke lënë me vetëm 38,85% të votave kandidatin e VV-së, Taulant Kelmendin.

Në Istog, do të udhëheq përsëri Ilir Ferati i LDK-së, i cili e ka rifituar këtë komunë në raundin e parë të zgjedhjeve.

Kryetari i Deçanit gjithashtu edhe vendosur nga qytetarët në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve lokale, ku Bashkim Ramosaj i AAK-së mori 51.57% të votave, ndërsa Faton Selmanaj i VV-së kishte dal i pesti në këto zgjedhje.

Kandidati i VV-së për kryetar të Klinës, Ramiz Rrusta gjithashtu kishte humbur që në raundin e parë, ndërkaq dje, në balotazhin mes Zenun Elezajt të AAK-së, dhe Sokol Bashotës së PDK-së, AAK e ruajti këtë komunë duke marrë 58,02% të votave.

AAK arriti ta ruaj edhe Gjakovën, me kryetarin Ardian Gjini i cili mposhti Ardian Golën e VV-së. Gjini i AAK-së, dje në balotazh mori 56,03% ndërsa Gola i VV-së mori 43,97% të votave.

VV humbi edhe në Prizren. Këtë komunë e ruajti Shaqir Totaj i PDK-së i cili kishte udhëhequr katër vitet e fundit në Prizren. Ai mori 53,86% të votave, ndërkaq kandidati i VV-së në Prizren, Artan Abrashi mori 46,14%.

Në Suharekë, VV nuk shkoi as në balotazh. Në garën që u zhvillua mes Bali Muharremajt të AAK-së dhe Ardian Shalës së LDK-së, Muharremaj fitoi mandatin e tretë me 55,60% të votave ndërsa Ardian Shala mori 44,40% të votave.

Lëvizja Vetëvendosje, ka pësuar rritjen më të madhe që nga 2013-ta kur kanë kandiduar për herë të parë në zgjedhje lokale dhe kanë fituar vetëm 1 komunë. VV në 2017 ka fituar 3 komuna, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2021 ka fituar 4 komuna të cilat i kanë ruajtur edhe në këto zgjedhje duke i shtuar edhe tri të tjera.

Në këto zgjedhje, VV dhe LDK kanë fituar nga 7 komuna, PDK ka fituar në gjashtë komuna, AAK ka ruajtur komunat ku ka udhëhequr dhe do të udhëheq edhe për 4 vite në pesë komuna, ndërsa Lista Serbe ka fituar të gjitha komunat me shumicë serbe, gjithsej 10 të tilla. /Lajmi.net/