Mbishkrim me terma të ish-regjimit serb në një shkollë në Kllokot
Në hyrjen e shkollës së mesme të ulët “Sfeti Sava” në Kllokot është vendosur një mbishkrim me terme të ish-regjimit serb. Në qendrën më të madhe të votimit në këtë komunë, e cila sot po organizon proces zgjedhor pa garë, është parë një mbishkrim në murin e objektit, ku shkruan “Krahina autonome e Kosovës dhe…
Lajme
Në hyrjen e shkollës së mesme të ulët “Sfeti Sava” në Kllokot është vendosur një mbishkrim me terme të ish-regjimit serb.
Në qendrën më të madhe të votimit në këtë komunë, e cila sot po organizon proces zgjedhor pa garë, është parë një mbishkrim në murin e objektit, ku shkruan “Krahina autonome e Kosovës dhe e Metohijës”.
Tri javë më parë, pretendime të tilla shoviniste pohoi në mbledhjen e Këshillit të OKB-së, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq. Atij i reagoi ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila gjatë fjalimit të saj tha se nuk ekziston “Kosovë e Metohi” dhe se kjo është një gjuhë e vjetër shoviniste e Sllobodan Millosheviqit dhe shprehje e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës.
“Më lejoni ta bëjë të qartë se nuk ka ‘Kosovë e Metohi’, ajo nuk ekziston, zonja dhe zotërinj. ‘Kosova dhe Metohia’ është një shprehje, shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë për Kosovën, është gjuha e vjetër e Sllobodan Millosheviqit. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkan. Mbështetja për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara është 99 për qind në vendin tonë. Ne jemi vendi më pro NATO-s e më pro SHBA-së në botë. Ne jemi mbështetur e mbrojtur nga gjenocidi i Serbisë nga NATO e SHBA”, ka thënë Gërvalla.
Ndryshe, në këtë qendër votimi në Komunën e Kllokotit janë dy vendvotime me mbi 1500 qytetarë me të drejtë vote.
Në këtë qendër kanë të drejtë vote mbi 500 qytetarë shqiptarë.
Banorët e Kllokotit sot i drejtohen sërish kutive të votimit, ku në fletëvotim figurojnë dy kandidatë – Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe dhe Sreqko Spasiq nga Iniciativa Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”.
Ky i fundit më 3 nëntor është tërhequr nga gara dhe u kërkoi mbështetësve të tij qe të votojnë për kundershtarin e tij, Bozhidar Dejanoviq.
Sipas KQZ-së, zgjedhjet në Kllokot mbahen vetëm formalisht sepse afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara ishte më 2 shtator.
Të drejtë vote në këtë komunë kanë mbi 4100 qytetarë, dhe është e vetmja nga dhjetë komunat me shumicë serbe, ku Lista Serbe nuk fitoi qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.