“Ministri i Puneve të Brendshme kërcënoi një zyrtar të një partie që po kalonte rrugën” – Sveçla nuk i di rregullat zgjedhore
Lajmi.net ka qenë dëshmitar i një incidenti para një qendre votimi, ku Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është përfshirë në një situatë që ngre pyetje mbi njohjen e rregullave zgjedhore nga ana e tij. Një i ri kishte vënë në xhaketën e tij simbolin e LDK-së, dhe Sveçla i tha: “Kjo…
Lajme
Lajmi.net ka qenë dëshmitar i një incidenti para një qendre votimi, ku Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është përfshirë në një situatë që ngre pyetje mbi njohjen e rregullave zgjedhore nga ana e tij.
Një i ri kishte vënë në xhaketën e tij simbolin e LDK-së, dhe Sveçla i tha: “Kjo nuk lejohet, LDK te shkolla nuk lejohet, rreth shkollës nuk lejohet”, raporton lajmi.net
Sipas rregullave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kufizimi për shfaqjen e materialeve të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës së votimit deri në rrethojat e saj, ndërsa dispozita e mëparshme që kufizonte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës nuk është më në fuqi.
Postimi i plotë i Albert Krasniqit nda Demokracia plus:
Sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi.
Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse – jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit.
Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore.
Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik. Ndërhyrja e tij në situata të tilla është presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive.
Në një demokraci funksionale, ministrat duhet të jenë shembull i ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë – jo ta zbehin atë kufi./Lajmi.net/