KPM-ja fton mediat të respektohet heshtja zgjedhore

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është duke vazhduar me monitorimin e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore. “KPM u bën thirrje dhe një herë mediave që të respektojnë obligimet lidhur me procesin zgjedhor, respektivisht heshtjen zgjedhore, duke shmangur çfarëdo raportimi i cili mund të bie ndesh me rregullat…

Lajme

09/11/2025 11:36

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është duke vazhduar me monitorimin e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.

“KPM u bën thirrje dhe një herë mediave që të respektojnë obligimet lidhur me procesin zgjedhor, respektivisht heshtjen zgjedhore, duke shmangur çfarëdo raportimi i cili mund të bie ndesh me rregullat e heshtjes zgjedhore dhe mund të dëmtonte procesin e votimit”, njofton KMP.

KPM fton të gjithë të licencuarit (OSHMA) që të zbatojnë obligimet ligjore nga Kreu VIII i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Nr. 08/L-228 dhe Rregullorja KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore.

“Neni 52, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ”Ndalimi i Përfshirjes në Media” përcakton se: Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, gjatë periudhës që fillon me hapjen e vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të tyre”, njofton KPM.

Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.

Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, sipas KPM-së, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës.

“Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik. KPM është duke monitoruar përmbajtjet programore (24/7) të OSHMA-ve, për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me kornizën ligjore, për të kontribuar në forcimin e demokracisë në vendin tonë, në këtë proces zgjedhor që është me rëndësi për të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, njofton KPM.