Arrestohet Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dyfishtë dje në Malishevë

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë dje në fshatin Golluboc të Malishevës. Astrit Isufi i cili nga momenti i vrasjes ishte në arrati është arritur që të arrestohet. Kjo u bë e ditur nga Prokuroria në Gjakovë. “Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes…

Lajme

07/11/2025 08:39

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë dje në fshatin Golluboc të Malishevës.

Astrit Isufi i cili nga momenti i vrasjes ishte në arrati është arritur që të arrestohet.

Kjo u bë e ditur nga Prokuroria në Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati.Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”,thuhet në njoftim.

Po ashtu u theksua se brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.

Pasditen e djeshme një vrasje e rëndë u raportua të ketë ndodhur në Malishevë ku viktima ishin dy vëllezër.

Ngjarja u bë edhe më e rëndë për faktin se i dyshuari për vrasjen e tyre ishte dhëndri, saktësisht burri i motrës.

Viktimat në këtë rast, Driton dhe Naim Morina u raportua se kishin ardhur në Kosovë para disa ditëve dhe po prisnin për ngushëllime pasi babai u kishte ndërruar jetë tri ditë më parë.

Lajmi.net dje raportoi se i dyshuari në këtë rast, Astrit Isufi ishte edhe në muajin prill i burgosur por ishte liruar gjë për të cilën detaje shtesë nuk dha nga dje Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokuroria e konfirmoi për lajmin se ai ishte i akuzuar për dhunë në familje dhe kanosje, por se me vendim të gjykatës ishte liruar.

Siç u raportua në media problemet në mes çiftit kishin lindur më herët ndërsa sipas informacioneve të pakonfirmuara vëllezërit kishin kërkuar nga motra e tyre që të ndahej si shkak i këtyre problemeve./Lajmi.net/