Ushtarët serbë hynë në Kosovë edhe me 15 tetor – publikohen pamjet (VIDEO)
Hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës në veri të vendit, ku raportohet se është rrëmbyer një qytetar, ka nxitur reagime të shumta nga Presidentja e vendit dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë. Megjithatë, ky nuk është incidenti i vetëm i këtij lloji gjatë javëve të fundit, transmeton lajmi.net. Televizioni Dukagjini ka siguruar një video…
Lajme
Hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës në veri të vendit, ku raportohet se është rrëmbyer një qytetar, ka nxitur reagime të shumta nga Presidentja e vendit dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Megjithatë, ky nuk është incidenti i vetëm i këtij lloji gjatë javëve të fundit, transmeton lajmi.net.
Televizioni Dukagjini ka siguruar një video nga mesi i tetorit, ku shihet hyrja e forcave serbe në Kosovë nga drejtimi verilindor – konkretisht në fshatin Rakinicë, afër Orllanit të Podujevës.
VIDEO:
Sipas mediumit, pamjet janë regjistruar më 15 tetor, ndërsa për rastin janë drejtuar pyetje Policisë së Kosovës që nga 20 tetori, por deri më tani nuk është pranuar asnjë përgjigje zyrtare.
Konfirmimin e ngjarjes, megjithatë, e ka dhënë misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR). Në përgjigjen e tyre zyrtare thuhet:
“Jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Serbisë.”
Banorët e zonës, të cilët kanë xhiruar videon, kanë konfirmuar për Dukagjinin se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe, sipas tyre, gjatë incidentit u konfiskua një traktor dhe u përdorën fyerje e sharje ndaj banorëve lokalë.
Përveç Policisë, televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme nëse institucionet e sigurisë kanë qenë në dijeni për rastin, por as ky institucion nuk ka reaguar.
Sipas strukturës së sigurisë në Kosovë, Policia e Kosovës është reaguesi i parë për ngjarje të tilla, ndërsa KFOR-i konsiderohet reagues i tretë, megjithëse është përgjegjës për sigurinë e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./lajmi.net/