I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë kishte aktakuzë për dhunë në familje e kanosje- në prill ishte burgosur

Një ngjarje tragjike ndodhi sot në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku një person i dyshimtë vrau dy të tjerë e që janë vëllezërit e gruas së tij. I dyshuari tanimë në arrati, Astrit Isufi është emër i njohur për organet e hetuesisë në vendin tonë. Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zyrtarja për Informim…

Lajme

06/11/2025 14:56

Një ngjarje tragjike ndodhi sot në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku një person i dyshimtë vrau dy të tjerë e që janë vëllezërit e gruas së tij.

I dyshuari tanimë në arrati, Astrit Isufi është emër i njohur për organet e hetuesisë në vendin tonë.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zyrtarja për Informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Shala njoftoi se në fakt Astrit Isufi ka qenë i dyshuar për dy vepra penale që janë “Dhunë në familje dhe kanosje”.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se prokurori i shtetit ndaj personit te dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale “Dhune ne familje sipas nenit 248 të Kodit penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” sipas nenit 181 te KPRK-se”, deklaroi Shala.

Prokuroria në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyshuari për këtë rast dhe Isufi ishte në paraburgim gjatë muajit prill dhe nuk dihet se kur i është ndërprerë masa e sigurisë.

Pas krimit të rëndë që ndodhi sot në Malishevë, Isufi ka arritur që të arratiset nga vendi i ngjarjes.

Si fillim u raportua se Astrit Isufi kishte shkuar tek familja e gruas për të marrë bashkëshorten dhe pasi është larguar disa metra nga oborri është kthyer sërish dhe ka shtënë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve të gruas që po qëndronin para derës së shtëpisë.

Viktimat  e këtij rasti, vëllezërit Naim dhe Driton Morina raportohet se jetojnë jashtë vendit dhe kishin ardhur në Kosovë tri ditë më parë, pasi babai i tyre kishte ndërruar jetë dhe po priteshin të pamet.

Lidhur me këtë rast për lajmi.net ka edhe folur Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila tha se të gjitha njësitë e nevojshme janë në vendngjarje dhe se është duke u bërë sigurimi i provave.

“Ju njoftojmë se në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme të policisë,  Kryeprokurori dhe Prokurori Kujdestar. Sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e provave në këtë çështje penale”./Lajmi.net/