Pesë ditë pas plagosjes së serbit nga veriu, avokati dorëzon kallëzim penal në emër të nënës
Pesë ditë pasi u qëllua me armë zjarri brenda territorit të Kosovës serbi nga veriu, Milan Vukashinoviq, avokati i tij ka dorëzuar kallëzim penal në emër të nënës së tij. Avokati ka bërë të ditur se kallëzimin penal e ka dorëzuar te Prokurori i Lartë Publik për veprën penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”,…
Lajme
Pesë ditë pasi u qëllua me armë zjarri brenda territorit të Kosovës serbi nga veriu, Milan Vukashinoviq, avokati i tij ka dorëzuar kallëzim penal në emër të nënës së tij.
Avokati ka bërë të ditur se kallëzimin penal e ka dorëzuar te Prokurori i Lartë Publik për veprën penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”, kundër personave të panjohur – pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të kryeterroristit Milan Radojiçiq.
Sipas Niniqit, kallëzimi penal është bërë pasi për pesë ditë me radhë nuk është dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me rastin e Vukashinoviqit.
“Për shkak se për pesë ditë askush nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me qëllimin me armë ndaj Milan Vukasinoviqit, unë, në emër të nënës së tij, kam dorëzuar kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër personave të panjohur – pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan R.”, ka deklaruar avokati Niniq në një postim në X.
Vukasinoviq ishte bërë i njohur publikisht në qershor, kur publikoi një video në të cilën akuzonte Listën Serbe për ushtrim presioni ndaj qytetarëve serbë që nuk e braktisin punën në institucionet e Kosovës.
Në atë video, ai deklaronte se i ishte kërkuar të largohej nga puna në institucionet e Republikës së Kosovës dhe se ndaj tij ishin ushtruar kërcënime e presione politike.
Sipas raportimeve të fundit të Policisë së Kosovës, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor në një zonë të njohur si “pika zero”, afër Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë që edhe në të kaluarën është raportuar se ai është përballur me incidente të tjera, ku i është vendosur një eksploziv në veturë, është ndaluar për disa orë në pikën kufitare në Jarinjë, dhe raportohet se ishte arrestuar në të njëjtën pikë kufitare në vitin 2010. Atëkohë, ai ishte punonjës i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.