Avokati i serbit të rrëmbyer në Kosovë dorëzon kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan Radoiçiqit

Ivan Niniq, avokati i Milan Vukashinoviq, serbit nga Kosova që u plagos e më pas u kidnapua nga xhandarmëria serbe  të shtunën në fshatin Jelakce/Leposaviq dhe më pas u dërgua në Qendrën Klinike të Nishit ka njoftuar se ka parashtruar kallëzim penal kundër personave të panjohur, pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të…

Lajme

06/11/2025 10:18

Ivan Niniq, avokati i Milan Vukashinoviq, serbit nga Kosova që u plagos e më pas u kidnapua nga xhandarmëria serbe  të shtunën në fshatin Jelakce/Leposaviq dhe më pas u dërgua në Qendrën Klinike të Nishit ka njoftuar se ka parashtruar kallëzim penal kundër personave të panjohur, pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan Radoiçiq.

Kallëzimin penal e ka bërë në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuplje, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë ndaj Milan Vukashinoviqit.

“Për shkak se për pesë ditë askush nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për ekzekutimin e Milan Vukashinoviq, në emër të nënës së tij unë kam parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuplje, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, kundër personave të panjohur, pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan Radoiçiq”, ka njoftuar avokati ne X.

Ndryshe Milan Vukashinoviq dyshohet që të shtunën është plagosur dhe rrëmbyer nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të ashtuquajturës “pika zero”, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Policia ka njoftuar menjëherë KFOR-in, si forcë përgjegjëse për sigurinë në zonën kufitare.