PDK: Nuk kemi votë për asnjë mandatar nga VV-ja – Zgjedhjet e parakohshme, e vetmja zgjidhje për krizën institucionale

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për balotazhin e 9 nëntorit. Në këtë mbledhje, PDK ka theksuar se dhënia e mandatarit sërish Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë përbën “humbje…

Lajme

05/11/2025 19:11

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për balotazhin e 9 nëntorit.

Në këtë mbledhje, PDK ka theksuar se dhënia e mandatarit sërish Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë përbën “humbje kohe dhe zvarritje të panevojshme”, duke shtuar se askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.

Partia ka ripërsëritur qëndrimin e saj se nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga VV-ja, duke theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës politike dhe kthimin e legjitimitetit qytetar.

Sipas PDK-së, kriza e stërzgjatur e shkaktuar nga VV ka dëmtuar të gjitha fushat dhe ka rrezikuar edhe miratimin me kohë të buxhetit të shtetit, çka mund të çojë në vonesa të pagave për qytetarët vitin e ardhshëm.

Kryetari Memli Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin e anëtarëve dhe përkrahësve të PDK-së, duke theksuar se partia është rikthyer në vendin e parë pas 12 vitesh për nga vota popullore, me gjithsej 187.526 vota dhe 206 ulëse në kuvendet komunale.

PDK ka fituar në tri komuna – Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit – në raundin e parë, ndërsa ka rritur ndjeshëm votën për kandidatët për kryetarë komunash në nivel vendi.

Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdojë mobilizimin maksimal për balotazhin në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK synon fitore në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.